Kosovë

Shtëpi, banesa, garazhe e 21 xhirollogari nën masë sigurie: çfarë u bllokua në hetimet për aferën në BKS

Reklamë

Dokumentet që Insajderi thotë se i ka siguruar zbulojnë pasuritë e paluajtshme të vendosura nën masë sigurie në kuadër të hetimeve për aferën në Byronë Kosovare të Sigurimit. Në listë përfshihen prona në Prishtinë, Çagllavicë, Matiçan dhe Prizren, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar edhe ngrirjen e 21 xhirollogarive bankare.

Në kuadër të hetimeve financiare për skandalin në Byronë Kosovare të Sigurimit, organet e drejtësisë kanë lëshuar urdhër për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të personave të pandehur. Sipas dokumenteve të raportuara nga Insajderi, në listën e sekuestrimeve figurojnë disa prona të rëndësishme.

Reklamë

Në inventarin e pasurive të bllokuara përfshihet pjesa e një parcele në zonën kadastrale Matiçan, në Prishtinë, në vendin e quajtur “Njelmësina”, e regjistruar në pronësi të Sami Mazrekut.

Po ashtu, në pronësi të tij janë bllokuar edhe një sërë njësish në objekte banesore në Prishtinë. Në Laman A janë sekuestruar një banesë në katin e tretë me sipërfaqe 87.1 metra katrorë, një banesë në katin e katërt me 76.6 metra katrorë dhe tri njësi garazhuese në nivelin minus dy B. Në Laman B është bllokuar një banesë në katin e tretë me 78 metra katrorë dhe gjashtë njësi garazhuese në nivelin minus një B, ndërsa në Laman OG janë sekuestruar tri garazhe në nivelin B.

Lista e pasurive të sekuestruara vijon me një shtëpi prej 397 metra katrorë në posedim të përbashkët, ku në certifikatë figuron banka si pengmarrëse, si dhe me një shtëpi familjare prej 247 metra katrorë, bashkë me një garazh prej 23 metra katrorë, në adresën Troja, në Lagjen Qershia në Çagllavicë, të regjistruara në emër të Sami Mazrekut. Në të njëjtën zonë, sipas raportimit, figurojnë edhe disa apartamente e objekte të tjera rezidenciale, përfshirë njësi prej 87, 77 dhe 78 metra katrorë, garazhe shtesë prej 12 metrash, si dhe objekte rezidenciale prej 7 dhe 8 metrash katrorë.

Sipas dokumenteve të cituara, në pronësi të Mazrekut janë bllokuar edhe garazhe të tjera në Matiçan. Masë sekuestrimi është vendosur edhe mbi një shtëpi familjare prej 199 metra katrorë dhe një garazh prej 18 metrash në adresën “Martin Luter King”, në Lagjen Qershia në Çagllavicë, në pronësi të Valon Berishës, si dhe mbi një banesë me sipërfaqe 104 metra katrorë në Prizren, në pronësi të Yll Çollakut.

Reklamë

Krahas pasurive të paluajtshme, autoritetet kanë urdhëruar ngrirjen e 21 xhirollogarive bankare të personave që po hetohen në këtë çështje, me qëllim të sigurimit të mjeteve dhe parandalimit të tjetërsimit të tyre.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, sipas Insajderit, i kanë zgjeruar hetimet lidhur me dyshimet për keqpërdorime në BKS, duke çuar në 69 numrin e përgjithshëm të personave të pandehur në këtë rast.

Në këtë fazë të hetimeve, 21 persona janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën dyshimin për veprën penale të keqpërdorimit të besimit.

Sipas dosjes së cituar në raportim, të dyshuarit dyshohet se, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person, duke shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh, ndërsa dëmi i përgjithshëm i evidentuar llogaritet mbi 1 milion euro.

Në listën e personave të intervistuar nga prokuroria, sipas Insajderit, figurojnë: Liridon Makolli, Valon Berisha, Kevsere Veliu, Lindita Cakaj, Rrezarta Tafilaj, Fatime Restelica, Edona Ahmeti, Faik Sylejmani, Fatime Restelica Halimi, Afrim Kryeziu, Arta Kastrati Batalli, Bashkim Vitia, Dorentina Stublla, Lavdim Statovci, Samire Hoti, Saranda Sogojeva, Meriton Berisha, Venesa Gashi, Valmir Rexha, Ilir Prapashtica dhe Fehmi Kurtishaj.

Ky proces paraqet vazhdimësi të aksioneve të mëparshme, gjatë të cilave ishin arrestuar ish-drejtori Sami Mazreku dhe ish-shefi i financave Valon Berisha, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Insajderi ka raportuar për afro dy vjet rresht për aferat në këtë organizatë që menaxhon mjetet e grumbulluara nga policat obligative të pronarëve të automjeteve në Kosovë./lajmishqip.net