Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka paralajmëruar një varg masash diplomatike ndaj Serbisë, si reagim ndaj mënyrës se si autoritetet dhe segmente të publikut në këtë vend e trajtuan vdekjen dhe varrimin e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq.
Në një konferencë për media në Sarajevë, Konakoviq bëri të ditur se nga Ambasada e Bosnjë-Hercegovinës në Beograd do të tërhiqet pothuajse i gjithë personeli për të cilin Ministria e Jashtme ka kompetencë. Ambasadori dhe konsulli do të mbeten në detyrë, pasi emërimi dhe eventualisht tërheqja e tyre janë në kompetencë të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.
Konakoviq njoftoi se një pjesë e shërbimeve konsullore që aktualisht kryhen në Serbi do të transferohen në përfaqësitë diplomatike të Bosnjë-Hercegovinës në Zagreb dhe Podgoricë, ndërsa përmendi edhe mundësinë e angazhimit të përfaqësive të tjera konsullore në rajon.
Në kuadër të masave të paralajmëruara, komunikimi diplomatik me Serbinë pritet të reduktohet në nivelin më të ulët të mundshëm. Konakoviq deklaroi se, po të kishte kompetencë të plotë, do të shkonte deri te ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Beogradin.
Reagimi i Sarajevës vjen pas një vargu ngjarjesh në Serbi që pasuan vdekjen e Mladiqit dhe që nga zyrtarë të Bosnjë-Hercegovinës dhe të Bashkimit Evropian janë cilësuar si glorifikim i një personi të dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Trupi i Mladiqit u transportua më 3 shtator nga Holanda në Beograd me një avion të Qeverisë së Serbisë. Arkivoli, i mbuluar me flamujt e Serbisë dhe Republikës Srpska, u bart nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë. Në avion ndodhej edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, së bashku me familjarë dhe ish-bashkëluftëtarë të Mladiqit.
Glorifikimi u shfaq edhe në stadiume. Para derbit ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Partizanit në Beograd, tifozët e Zvezdës shpalosën një portret të madh të Mladiqit, të shoqëruar me mesazhin “Drejt Potoçarit”, formulim që lidhet me fjalët e tij gjatë hyrjes së forcave serbe të Bosnjës në zonën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995. Atje, më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë në gjenocidin e Srebrenicës.
Edhe varrimi i Mladiqit në Beograd u shoqërua me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve dhe zyrtarëve serbë. Ceremonia përfshiu elemente dhe nderime ushtarake, duke nxitur reagime të ashpra nga familjet e viktimave dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Zhvillimet shkaktuan reagim edhe në Bashkimin Evropian. Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke deklaruar se glorifikimi që shoqëroi vdekjen e Mladiqit është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt anëtarësimit në BE, përfshirë pajtimin dhe respektin ndaj viktimave të krimeve të luftës.
Shefi i diplomacisë boshnjake paralajmëroi gjithashtu intensifikimin e angazhimit diplomatik me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, në përpjekje për të kundërshtuar glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1992–1995 në Bosnjë-Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë dhe rrethimin e Sarajevës. Ai vdiq më 27 gusht 2026, në moshën 84-vjeçare, derisa po vuante dënimin nën autoritetin e Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale në Hagë. /lajmishqip.net
