Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Kurti ka njoftuar se gjatë takimit kanë vazhduar diskutimet e nisura në prill në Londër, duke u përqendruar në forcimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve infrastrukturore e ekonomike në Kosovë.
Sipas kryeministrit, që nga anëtarësimi i Kosovës në BERZH, në vitin 2012, kjo bankë ka ofruar rreth 967 milionë euro mbështetje financiare për 151 projekte në sektorin publik dhe atë privat.
Ai ka theksuar se gjatë mandatit të ri synohet që partneritetet për investime të orientohen drejt prioriteteve strategjike të Kosovës, përfshirë sigurinë energjetike dhe ujore, mbrojtjen, transportin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Kurti ka vlerësuar se BERZH-i vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm i Kosovës, si në mbështetjen e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në procesin e integrimit evropian./lajmishqip.net
