Kosovë

Rrustemi: Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje, opozita po barrikadohet për të mos e lënë Kurtin të qeverisë

Reklamë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kritikuar partitë opozitare, duke i akuzuar për “barrikadim” politik dhe për përpjekje që, sipas tij, t’ia pamundësojnë Albin Kurtit qeverisjen, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve.

Rrustemi ka thënë se një qasje e tillë nuk mund të funksionojë, ndërsa ka rikujtuar zhvillimet politike dhe proceset zgjedhore që nga shkurti i vitit 2025. Sipas tij, opozita fillimisht kundërshtoi zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit, ndërsa më pas nuk pranoi as Kurtin për kryeministër dhe as Glauk Konjufcën.

Reklamë

Në reagimin e tij, Rrustemi ka rikujtuar se më 9 shkurt 2025 u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare, pas përfundimit të një mandati të plotë katërvjeçar.

Sipas tij, nga shkurti deri në nëntor të vitit 2025, opozita ishte “e barrikaduar” kundër krijimit të institucioneve të udhëhequra nga LVV-ja, duke kundërshtuar fillimisht kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe më pas propozimet për Qeverinë.

Pas dështimit për krijimin e institucioneve, Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor 2025, ku Rrustemi thotë se Vetëvendosje doli edhe më e fuqishme nga procesi zgjedhor.

Ai ka rikujtuar se më pas u konstituua Kuvendi dhe u formua Qeveria, ndërsa ngërçi politik u zhvendos te zgjedhja e presidentit, për të cilën Kushtetuta kërkon pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para.

Reklamë

Rrustemi tha se LVV-ja kërkoi nga partitë opozitare të propozonin kandidatë për president, por, sipas tij, nuk mori përgjigje. Më pas, Vetëvendosje propozoi Feride Rushitin si figurë jopartiake, kandidaturë që nuk mori mbështetjen e nevojshme.

Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, vendi shkoi sërish në zgjedhje, të cilat u mbajtën më 7 qershor 2026.

Sipas Rrustemit, edhe në këto zgjedhje LVV-ja fitoi bindshëm, ndërsa pas negociatave të gjata u arrit marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-së që profesori Bekim Sejdiu të ishte kandidat konsensual për president.

Megjithatë, gjashtë deputetë të LDK-së kanë kundërshtuar marrëveshjen dhe kanë paralajmëruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, zhvillim që ka vënë sërish në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Rrustemi paralajmëroi se, nëse nuk gjendet zgjidhje, Kosova mund të përballet përsëri me zgjedhje të parakohshme.

“9 shkurt 2025 – shtator 2026 praktikisht jemi në të njëjtin barrikadim opozitar. Ata nuk duan që Albin Kurti të qeverisë dhe duan që, pavarësisht popullit, ata të vendosin. Por kjo është e pamundur”, ka shkruar Rrustemi./lajmishqip.net