Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ka dështuar granti i Qeverisë gjermane, i administruar përmes Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW, për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”.
Sipas Ramës, arsyeja e dështimit të projektit është mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Financimit nga Ministria e Financave, e drejtuar nga ministri në detyrë Hekuran Murati.
“Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqësisht po e konfirmojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. KfW ka njoftuar se granti për ‘Pastrimin’ dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit. Kaq!”, shkroi Rama në Facebook.
Kryetari i Prishtinës e kritikoi ashpër Muratin për mosnënshkrimin e marrëveshjes, duke thënë se projekti kishte mbështetjen gjermane, partnerin financiar dhe nevojën urgjente për realizim.
“E kemi ndihmën e Qeverisë gjermane. E kemi partnerin. E kemi projektin. E kemi nevojën urgjente. Por Hekuran Murati nuk e nënshkruan”, deklaroi Rama, duke e cilësuar si të rëndë situatën në të cilën, sipas tij, një projekt i rëndësishëm për qytetarët po dështon për shkak të bllokadave institucionale.
Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës do të kërkojë alternativa të tjera për menaxhimin e mbeturinave, duke paralajmëruar krijimin e një ndërmarrjeje komunale të pastrimit.
“Prandaj kemi marrë vendim që të krijojmë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit! Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë. Pa pritur pafund”, ka shkruar Rama, duke shtuar se çështja do të trajtohet me urgjencë në seancën e ardhshme të Kryeqytetit. /lajmishqip.net
