Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dhënë të premten fjalët përfundimtare në rastin ndaj Vullnet Gashit, i cili akuzohet lidhur me aksidentin me fatalitet të ndodhur më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.
Prokurori i rastit, Ardian Mehmeti, deklaroi se pas administrimit të provave është vërtetuar, sipas tij, përtej dyshimit të arsyeshëm se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.
Sipas prokurorit, provat materiale dhe personale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë vërtetuar gjendjen faktike në këtë rast.
Mehmeti kërkoi që, gjatë caktimit eventual të dënimit, të merret parasysh shkalla e pasojës së shkaktuar, përkatësisht vdekja e viktimës, si dhe përsëritja e kundërvajtjeve në trafik nga i akuzuari.
Prokurori tha se Gashi, deri në kohën kur kishte ndodhur aksidenti, ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik, duke vlerësuar se kjo dëshmon mosrespektim të vazhdueshëm të rregullave të komunikacionit. Sipas tij, në ditën e aksidentit i akuzuari ishte gjithashtu pa patentë shoferi.
Për këto arsye, prokurori kërkoi nga Gjykata që Gashi të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet dënim me burgim efektiv.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar V.B., avokati Emrush Kastrati, tha se, sipas vlerësimit të tij, provat e administruara kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe kryerjen e veprës penale. Edhe ai kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me burgim efektiv të të akuzuarit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Gashit, avokati Driton Muharremi, kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Sipas Muharremit, provat materiale dhe personale nuk e dëshmojnë kryerjen e veprës penale, ndaj ai kërkoi që Gashi të shpallet i pafajshëm dhe ndaj tij të nxirret aktgjykim lirues.
Pas fjalëve përfundimtare, gjyqtari Driton Berisha e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 9 shtator 2026.
Rasti fillimisht ishte në gjykim te gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, ndërsa më pas kaloi te gjyqtari Driton Berisha, pas kalimit të saj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Kundërvajtje.
Në seancën fillestare të mbajtur më 18 tetor 2024, Gashi ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gashi akuzohet se më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton”, duke drejtuar veturën pa patentë shoferi në shiritin e destinuar për autobusë dhe taksi, nga pakujdesia kishte vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut. Prokuroria pretendon se ai nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet dhe gjendjen e rrugës, duke rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
Gjithnjë sipas aktakuzës, viktima F.B. po kalonte rrugën jashtë vendkalimit për këmbësorë, nga ana e majtë në të djathtë në raport me drejtimin e automjetit. Në atë kohë, në shiritin e mesëm po lëvizte një kamion, ndërsa pranë objektit “Euro Roleta”, automjeti i drejtuar nga i pandehuri dyshohet se e kishte goditur këmbësorin me pjesën e përparme, duke i shkaktuar lëndime nga të cilat ai më pas kishte humbur jetën.
Sipas aktakuzës, Raporti i Autopsisë i 12 dhjetorit 2023 përcakton se vdekja e F.B. kishte ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë të shkaktuar nga lëndimet e marra në aksident.
Për këtë rast, Vullnet Gashi akuzohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. Vendimi përfundimtar mbi fajësinë ose pafajësinë e tij i takon Gjykatës./lajmishqip.net
