Kosovë

Përplasje në KPK për “rrjedhjen e informacioneve”, Isufaj: Integritetin tim s’e shes për asgjë, kjo po më kushton

Reklamë

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka raportuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Anëtarja e KPK-së, Arlinda Muqa, kërkoi nga Isufaj të tregojë nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me pretendimet për rrjedhje të informacioneve rreth rasteve nën hetim nga Prokuroria Speciale.

Reklamë

“A është ndërmarrë ndonjë masë për të verifikuar nëse ekziston një burim i brendshëm i informacionit dhe për ta parandaluar rrjedhjen e mëtutjeshme?”, pyeti Muqa.

Isufaj reagoi menjëherë, duke kërkuar nga anëtarja e Këshillit një rast konkret: “A ma thua, zonja anëtare e Këshillit, cili është rasti që është trajtuar në Prokurorinë Speciale që paska rrjedhë te Paparaci, se unë s’po e di?”.

Muqa tha se ka pasur “shumë lajme” të publikuara, ndërsa Isufaj insistoi që ajo të tregonte konkretisht për cilin rast bëhej fjalë: “Cilin rast prej Prokurorisë time e kanë publiku, se s’po e di. Ma thuani”.

“Është… shembulli konkret është rasti i prokurores Elza Bajrami, ka pasë raste edhe të Prokurorit të Shtetit…”, iu përgjigj Muqa.

Reklamë

Isufaj e kundërshtoi këtë dhe i kërkoi anëtares së KPK-së të tregonte konkretisht se për çfarë rasti bëhej fjalë, duke theksuar se, nëse merr informacionet e nevojshme, masat do të ndërmerren “me automatizëm”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale tha se edhe vetë është viktimë e situatave të tilla, duke theksuar se vazhdimisht ka qenë cak i sulmeve.

“Se nëse duhet me u marrë, ja jam unë viktimë e këtyre, ja s’është kurrkush në Kosovë. Kah po dalin ato? Po kush është sulmu më shumë sesa unë?”, deklaroi ai.

Isufaj tha se mban përgjegjësi publike dhe se integritetin e tij dhe të institucionit që përfaqëson e konsideron të panegociueshëm.

“Nuk është mirë me folë pa argumente. Nuk është mirë me lexu letra të shkruara. Nëse ke një argument më të vogël, qe ku jam. Mbaj përgjegjësi publike. S’merrem me kësi sende. Sepse s’e uli nivelin. E ruaj integritetin e institucionit që e përfaqësoj, më së pari. E ruaj në radhë të parë integritetin tim. Se integritetin tim s’e shes për kurrgjë. Dhe kjo po më kushton”, deklaroi Isufaj.

Pas kësaj përgjigjeje të Isufajt, Muqa nuk vazhdoi më tej me diskutimin./lajmishqip.net

Reklamë