Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka bërë të ditur se, si pasojë e përshkallëzimit të fundit të tensioneve në Iran dhe vazhdimit të krizës gjeopolitike, gjatë dy ditëve të fundit është shënuar një rritje jashtëzakonisht e madhe e çmimeve të derivateve në bursat ndërkombëtare. Sipas Shoqatës, kjo situatë ka shkaktuar pasiguri dhe çrregullime serioze në tregun e furnizimit.
Sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, çmimet kanë arritur nivelin më të lartë që nga 8 prilli 2026. Aktualisht, kostoja e furnizimit ka arritur në rreth 1.73 euro për litër, nivel që, sipas saj, në shumë raste tejkalon edhe çmimin aktual të shitjes me pakicë në pikat e karburanteve.
“Nëse kjo situatë vazhdon, rritja e kostos së furnizimit pritet të reflektohet gjatë ditëve në vijim edhe në çmimet e shitjes me pakicë. Operatorët tashmë po furnizohen me çmime dukshëm më të larta, ndërsa stoqet ekzistuese po zëvendësohen gradualisht me produkt të blerë sipas kushteve të reja të tregut”, thuhet në njoftim.
Shoqata thekson se, bazuar në zhvillimet aktuale, presioni mbi çmimet mund të vazhdojë si pasojë e tensioneve gjeopolitike, rritjes së kërkesës dhe rënies së nivelit të stoqeve në Evropë, Azi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës thotë se është duke e përcjellë me kujdes situatën dhe u ka bërë thirrje institucioneve dhe opinionit publik që zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare të trajtohen me përgjegjësi dhe mirëkuptim.
“Rritja e mundshme e çmimeve nuk buron nga tregu vendor, por është pasojë e drejtpërdrejtë e rritjes së menjëhershme dhe të jashtëzakonshme të kostos së furnizimit në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në fund të njoftimit.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve për ditën e sotme.
Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës për sot është 1.70 euro për litër, ai i benzinës 1.55 euro për litër, ndërsa çmimi i gazit është 0.63 euro për litër, raporton KosovaPress.
Kështu, një litër naftë sot kushton një cent më shumë krahasuar me një ditë më parë, ndërsa Shoqata e Naftëtarëve paralajmëron se, nëse trendi në tregjet ndërkombëtare vazhdon, rritja e kostos së furnizimit mund të reflektohet më tej edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët në Kosovë./lajmishqip.net
