Lajme

Mourinho vendos dorë të hekurt te Real Madridi, pesë rregullat që duhet t’i respektojë çdo lojtar

Reklamë

Jose Mourinho raportohet se ka vendosur rregulla të qarta dhe të rrepta për futbollistët e Real Madridit, me synimin për të ngritur në maksimum disiplinën dhe standardet brenda skuadrës.

Trajneri portugez u rikthye në stolin e Real Madridit gjatë verës së kaluar, pasi klubi vendosi të ndahej nga Xabi Alonso dhe Alvaro Arbeloa, pas një sezoni që nuk i përmbushi pritshmëritë.

Reklamë

Sipas portalit anglez “talkSPORT”, Mourinho ka përcaktuar pesë rregulla kryesore që lojtarët e tij duhet t’i respektojnë.

1. Vonesa në stërvitje

Çdo futbollist që vonohet në stërvitje largohet menjëherë nga grupi dhe dërgohet në palestër, ku duhet ta zhvillojë individualisht seancën stërvitore.

2. Vonesa mund t’i kushtojë lojtarit ndeshjen e radhës

Reklamë

Përveç punës individuale, lojtari që vonohet në stërvitje nuk do të aktivizohet në ndeshjen e ardhshme, duke e bërë disiplinën një prej kritereve kryesore për përfshirjen në skuadër.

3. Nuk ka gjoba financiare për vonesat

Mourinho nuk dëshiron t’i përdorë gjobat financiare si masë disiplinore, pasi vlerëson se ato nuk kanë efekt të mjaftueshëm te futbollistët me paga të larta. Kylian Mbappe, për shembull, raportohet se përfiton mbi 600 mijë euro në javë.

4. Rehabilitimi vetëm nën mbikëqyrjen e klubit

Futbollistët e lënduar duhet ta zhvillojnë procesin e rehabilitimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Real Madridit, ndërsa terapitë private jashtë ambienteve dhe kontrollit të klubit nuk lejohen.

5. Dieta përcaktohet nga klubi

Të gjithë futbollistët duhet t’i përmbahen planit ushqimor të përcaktuar nga klubi, duke mos vendosur individualisht për regjimin e tyre të ushqimit.

“Frymëzimi” nga Hansi Flick

Sipas raportimeve, Mourinho është frymëzuar për disa prej këtyre masave edhe nga Hansi Flick, trajneri i Barcelonës dhe një prej rivalëve të tij kryesorë në La Liga.

Barcelona e përfundoi sezonin e kaluar si kampione e Spanjës, ndërsa Real Madridi mbeti pa fituar një trofe të rëndësishëm.

Dy skuadrat e kanë nisur mirë sezonin e ri, me nga tri fitore në tri ndeshjet e para, duke dhënë sinjale se edhe këtë edicion pritet një rivalitet i fortë në garën për titullin e kampionit në Spanjë.

Përmes këtyre rregullave, Mourinho synon të vendosë standarde të larta disipline dhe përgjegjësie në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, duke kërkuar që të njëjtat të vlejnë për të gjithë futbollistët./lajmishqip.net

Reklamë