Bota

Mesazhi i parë i shefit të ri të Zyrës së BE-së: Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet për të përfituar nga mbështetja evropiane

Reklamë

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati gjerman Dirk Schuebel, me marrjen e detyrës së re ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se funksionaliteti i tyre është i domosdoshëm për zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e mbështetjes së BE-së.

Schuebel ka deklaruar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme.

Reklamë

“Për të mirën e të gjithë njerëzve të saj, Kosova ka nevojë për institucione funksionale të afta për të realizuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE-së dhe financimin e rëndësishëm IPA që pritet të vijë”, ka deklaruar Schuebel, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e BE-së në Kosovë me rastin e marrjes së detyrës nga diplomati gjerman.

Sipas tij, shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus të qartë në zbatimin e reformave dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian.

Schuebel ka theksuar gjithashtu se do ta mbështesë angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.

Ai ka rikujtuar se Bashkimi Evropian mbetet një nga partnerët kryesorë të Kosovës dhe se, gjatë më shumë se 25 vjetëve, që nga viti 1999, BE-ja ka ofruar mbi 3.7 miliardë euro ndihmë për Kosovën, duke përfshirë rindërtimin, forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive për të rinjtë./lajmishqip.net

Reklamë
Reklamë