Kosovë

Kosova eliminon Estoninë në hendboll, siguron raundin e fundit kualifikues për Botërorin 2027

Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra ka siguruar kualifikimin në raundin e fundit eliminator për Kampionatin Botëror 2027, pasi eliminoi Estoninë në dy përballjet e zhvilluara më 23 dhe 24 tetor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Hendbollistet e Kosovës hodhën hapin vendimtar drejt kualifikimit të premten mbrëma, kur triumfuan bindshëm ndaj Estonisë me rezultat 39:22, duke krijuar një epërsi prej 17 golash për ndeshjen e kthimit.

Në përballjen e dytë, të zhvilluar të shtunën, Estonia shënoi fitore me rezultat 27:25. Megjithatë, epërsia e krijuar në ndeshjen e parë i mjaftoi Kosovës për të siguruar kualifikimin, me rezultat të përgjithshëm 64:49.

Merlinda Qorraj ishte më efikasja për Kosovën në ndeshjen e dytë, me nëntë gola të realizuar, ndërsa Mirela Gjikokaj kontribuoi me katër. Në portë u dallua Aurora Kryeziu, e cila regjistroi 12 pritje.

Me këtë rezultat, Kosova e kalon për të tretën herë radhazi raundin e parë kualifikues për Kampionatin Botëror. Përfaqësuesja e drejtuar nga Nenad Shoshtariq do të vazhdojë garën në fazën përfundimtare eliminatore, ku do të synojë sigurimin e një vendi në Botërorin 2027./lajmishqip.net