Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 35 të pandehurve për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me sulmin e forcave serbe në mars të vitit 1998 ndaj lagjes Jashari në Prekaz të Poshtëm.
Sipas aktakuzës, të cilën Insajderi raporton se e ka siguruar, në mesin e të pandehurve janë:
Jovica Stanišić, Vlastimir Đorđević, Sreten Lukić, Goran Radosavljević, Milorad Ulemek, Živko Trajković, Zoran Simović, Spasoje Vulević, Branko Čurčić, Želimir Mrdalj, Radislav Stalević, Vlado Todorović, Branko Prljević, Radoslav Mitrović, Milivoje Stojilković, Srđan Ilić, Nenad Stojković, Božidar Filić, Žarko Braković, Čedomir Božović, Žarko Rokvić, Dušan Ivanović, Staleta Mojsilović, Vučina Janičijević, Milan Lečić, Radomir Čolić, Srđan Perović, Nenad Milačić, Veljko Radenović, Dragan Živanović, Obrad Stevanović, Branko Đurić, Ljubinko Cvetić, Ilija Trajković dhe Milenko Božović.
Sipas aktakuzës, të pandehurit ngarkohen se, në pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë serbe, kishin planifikuar, koordinuar dhe drejtuar operacionin e armatosur kundër lagjes Jashari në Prekaz të Poshtëm. Prokuroria ka bërë të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, pasi janë shterur mundësitë për sigurimin e të pandehurve dhe sjelljen e tyre në procedurë penale./lajmishqip.net
