Lajme

Jozefin Marku u gjet i fshehur në tualet, sekuestrohen municion dhe një “Land Rover”

Reklamë

Policia e Tiranës ka dalë me njoftim për rastin e dhunës ndaj Eduard Kuçit, ku dyshohet se janë përfshirë Jozefin Marku dhe disa persona të tjerë, ndërsa janë publikuar edhe pamje nga shoqërimi i këngëtarit në komisariat.

Sipas Policisë, ngjarja është filmuar pranë mbikalimit të Rinasit. Pas veprimeve hetimore është ndaluar Jozefin Marku, 30 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Reklamë

Në njoftimin e Policisë thuhet se Marku dhe persona të tjerë dyshohet se, në bashkëpunim, kanë dhunuar 26-vjeçarin Eduard Kuçi, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer njërin prej tyre.

Bashkë me Markun është ndaluar edhe 31-vjeçari Kristjan Nikolli, i cili dyshohet se ka qenë drejtuesi i automjetit tip “Land Rover”. Sipas raportimeve mediale që u referohen të dhënave të Policisë, Marku është gjetur i fshehur në tualetin e banesës së Nikollit.

Në orët e para të mëngjesit, Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa në kuadër të veprimeve për lokalizimin e personave të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Gjatë kontrollit në banesën e Kristjan Nikollit është gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu automjetin tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

Reklamë

Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, ndërsa po punon për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./lajmishqip.net