Kosovë

Jashari paralajmëron reagim nëse vendimi në Hagë është “politik”: Kush e fyen UÇK-në, fyen edhe shtetësinë e Kosovës

Reklamë

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.

Në një konferencë për media, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se organizatat e dala nga lufta po përgatiten edhe për ditën e shpalljes së aktgjykimit, më 16 shtator.

Reklamë

Jashari e cilësoi Gjykatën Speciale si politike, ndërsa procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit e konsideroi të padrejtë.

“Kjo konferencë është njoftim për organizimin për pritjen e verdiktit përfundimtar të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që gati gjashtë vite po mbahen padrejtësisht atje”, deklaroi Jashari.

Ai u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Jashari tha se organizatat që përfaqëson janë duke bashkëpunuar edhe me organizata dhe këshilla të tjera për aktivitetet e planifikuara më 16 shtator, kur në Hagë do të shpallet aktgjykimi.

Reklamë

“Ne jemi duke punuar ngushtë me organizata të ndryshme, me këshilla të ndryshme mbarëkombëtare që me datën 16 t’i presim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mënyrë dinjitoze”, tha ai.

Jashari paralajmëroi se, në rast se merret një vendim që ai dhe organizatat që përfaqëson do ta konsideronin të ndikuar politikisht, nuk do të qëndrojnë pasivë.

“Ne nuk do të rrijmë me duar kryq”, deklaroi Jashari, duke shtuar se, sipas tij, kush fyen UÇK-në dhe ish-krerët e saj, fyen edhe shtetësinë e Kosovës.

Në të njëjtën konferencë, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, u bëri thirrje shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva e Medvegja, si dhe mërgimtarëve, që të marrin pjesë në “Marshin për Liri”.

Marshi do të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Shurdhaj ftoi veteranët, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe qytetarët që t’i bashkohen marshit, ndërsa më 16 shtator Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit./lajmishqip.net

Reklamë