Kosovë

IKD kërkon më shumë transparencë në bordet dhe komisionet publike: Mbledhjet e hapura duhet të jenë rregull, jo përjashtim

Reklamë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot raportin “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale përmes Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, i cili trajton nivelin e transparencës së organeve kolegjiale, përfshirë bordet dhe komisionet, raporton KosovaPress.

Në fokus të raportit është mënyra se si Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative i rregullon mbledhjet e këtyre organeve, me theks të veçantë te neni 39.2, i cili përcakton se mbledhjet janë të mbyllura, përveç rasteve kur një ligj specifik parasheh ndryshe.

Reklamë

Shqiponje Gashi nga IKD tha se çështja e mbledhjeve të mbyllura ka rëndësi të veçantë për transparencën dhe llogaridhënien institucionale, pasi qytetarët duhet të kenë mundësi të kuptojnë jo vetëm vendimin përfundimtar, por edhe procesin dhe diskutimet që kanë çuar deri te marrja e tij.

“Në fokus të raportit është neni 39.2 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili mbledhjet e këtyre organeve i përcakton si të mbyllura përveç kur legjislacioni në fuqi parashikon ndryshe. Për Institutin e Kosovës për Drejtësi, kjo çështje është shumë e rëndësishme sepse llogaridhënia nuk lidhet vetëm me publikimin e vendimit përfundimtar apo të procesverbalit, por edhe me mundësinë për të kuptuar se si është zhvilluar diskutimi dhe se si është marrë ky vendim”, tha Gashi.

Gëzim Shala nga IKD theksoi se problemi kryesor qëndron në faktin se Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative e përcakton mbylljen e mbledhjeve si rregull, ndërsa hapjen e tyre vetëm si përjashtim.

Sipas tij, një përcaktim i tillë ligjor krijon kufizime edhe për institucionet që kanë vullnet për t’i hapur mbledhjet dhe për të siguruar një nivel më të lartë të transparencës ndaj publikut.

Reklamë

Në këtë drejtim, Shala bëri të ditur se IKD ka edhe një rekomandim konkret lidhur me këtë dispozitë të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Në përfundim u theksua se puna dhe vendimmarrja e organeve kolegjiale duhet të mund të monitorohen nga qytetarët, mediat dhe shoqëria civile, duke e fuqizuar transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike./lajmishqip.net

Reklamë