Kosovë

Detaje nga aktakuza për Prekazin: Identifikohen 35 të dyshuar, pjesëtarë të policisë serbe

Reklamë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të sulmit në lagjen e Jasharëve në Prekaz.

Prokurori Valdet Gashi, gjatë një konference për media, ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast kanë zgjatur disa vjet, duke e cilësuar procesin si kompleks dhe të omfattshëm.

Reklamë

“Pas një pune disa vjeçare kemi arritur ta realizojmë hetimin në rastin e Prekazit, me ngritjen e aktakuzës. Ka qenë një rast shumë kompleks, mirëpo falë një pune shumë intensive të Prokurorisë Speciale dhe stafit të saj, gjithashtu edhe të Policisë së Kosovës, kemi arritur ta ngremë aktakuzën”, tha Gashi.

Sipas tij, bazuar në provat materiale dhe personale të mbledhura gjatë hetimeve, janë identifikuar 35 të dyshuar, të cilët, sipas Prokurorisë, kanë qenë pjesëtarë të policisë serbe.

“Është arritur të verifikohen aktivitetet e të gjithëve, arsenali, dëmet që janë shkaktuar, si ndaj njerëzve, ashtu edhe ndaj pasurisë”, deklaroi prokurori.

Gashi bëri të ditur se provat e mbledhura gjatë hetimeve kanë vërtetuar se në sulmin në Prekaz janë vrarë 26 civilë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.

Reklamë

Ai tha se detajet lidhur me mënyrën se si është zhvilluar hetimi, si dhe motivin, përgatitjet dhe planifikimin e sulmit, do të bëhen të ditura përmes aktakuzës.

“Për informimin tuaj, aktakuza është ngritur në mungesë sot, pasi një mundësi e tillë ligjore ekziston. Kemi shterur të gjitha mundësitë për t’i sjellë të pandehurit, por nuk kemi pasur mundësi”, tha Gashi, përcjell Insajderi./lajmishqip.net