Administrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, së shpejti do të nisë zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit për luftimin e ekonomisë joformale.
Plani synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e kontrolleve të përbashkëta në terren, me fokus në fushat me rrezik dhe interes të përbashkët. Përmes tij synohet ndjekja më e plotë e zinxhirit ekonomik, nga importi dhe qarkullimi i mallrave deri te shitja dhe konsumi në tregun e brendshëm.
Gjatë vitit 2025, bashkëpunimi ndërmjet ATK-së dhe Doganës së Kosovës ka rezultuar në 19 kontrolle të përbashkëta në terren, gjatë të cilave janë evidentuar shmangie nga detyrimet tatimore dhe doganore në vlerë prej 1.6 milion eurosh.
Duke u mbështetur në këto rezultate dhe në sfidat e identifikuara, plani i ri synon rritjen e efikasitetit të kontrolleve dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale.
Në kuadër të planit, kontrollet pritet të orientohen më saktë drejt rasteve me rrezik, të intensifikohet shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve dhe të sigurohet mbikëqyrje më e plotë e aktivitetit ekonomik. Përmes këtij mekanizmi, ATK dhe Dogana synojnë të ndërhyjnë në mënyrë më të koordinuar aty ku evidentohen parregullsi, duke parandaluar humbjet e të hyrave publike dhe duke synuar zbatim të barabartë të rregullave për të gjithë operatorët ekonomikë./lajmishqip.net
