Aleanca ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e mban pushtetin në mënyrë ilegale dhe se synimi i saj është ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Sipas kësaj partie, VV-ja po përpiqet t’ua faturojë partive të tjera përgjegjësinë për shkuarjen në zgjedhje, ndërsa datën e tyre ta caktojë në momentin që i përshtatet politikisht.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, Aleanca e ka bërë të qartë se qëllimi i njerëzve që sot po e mbajnë pushtetin ilegalisht është çuarja e vendit në zgjedhje të reja. Ajo që kemi parë deri tani përputhet me atë që kemi thënë vazhdimisht: fajësimi i partive të tjera dhe caktimi i datës së mbajtjes së zgjedhjeve në kohën që u konvenon atyre”, thuhet në deklaratën e Aleancës, të lëshuar pas mbledhjes së Këshillit të Kryetarëve të Degëve.
Aleanca vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje nuk meriton të vazhdojë të qeverisë me jetën e qytetarëve.
“Pushteti që e lë vendin pa energji dhe në mëshirën e mafisë energjetike, që energjinë e sjell prej Serbisë. Pushteti që blen edhe barna, gur e zall prej Serbisë. Pushteti që i dënon bizneset vendore dhe shkatërron ekonominë e vendit. Pushteti që krejt çka arrin të bëjë është t’i përçajë qytetarët e vendit, nuk meriton të qeverisë me jetën e qytetarëve”, thuhet në deklaratë. /lajmishqip.net
