Kosovë

Vrasje e rëndë në Pejë, gruaja dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati – avokatja akuzon institucionet

Një grua raportohet se është vrarë mbrëmjen e së dielës, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për kryerjen e krimit është kunati i saj. Rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë sqaruar zyrtarisht.

Pas raportimit të rastit ka reaguar avokatja e viktimës, e cila ka bërë të ditur se më parë e kishte përfaqësuar gruan në çështje që lidheshin me dhunën në familje.

Përmes një reagimi publik, avokatja Hoxha ka pretenduar se viktima, të cilës i është referuar me emrin Arlinda, është vrarë me sëpatë nga kunati i saj. Ky pretendim ende nuk është konfirmuar nga autoritetet hetimore.

Sipas avokates, gruaja i kishte kërkuar me dëshpërim të bënte gjithçka për ta mbrojtur të birin, duke i thënë se jeta e saj nuk kishte kuptim pa të.

“Por jo, Arlindën e vrau shteti”, ka shkruar Hoxha, duke akuzuar institucionet për përgjegjësi lidhur me rastin dhe duke paralajmëruar publikimin e dëshmive gjatë ditës së nesërme.

Akuzat ndaj institucioneve janë ngritur nga avokatja në reagimin e saj publik, ndërsa deri në momentin e raportimit nuk është bërë i ditur ndonjë qëndrim zyrtar që do t’i konfirmonte pretendimet për përgjegjësi institucionale. /lajmishqip.net