Lajme

Tetë të lënduar nga protesta në Tiranë, mes tyre një deputet, dy gazetarë dhe një polic

Tetë persona kanë marrë trajtim mjekësor në spitalet universitare të Tiranës, pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së zhvilluar këtë të shtunë, më 24 tetor 2026, në kryeqytetin shqiptar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes të lënduarve janë një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një efektiv policie, dy përfaqësues të mediave dhe katër protestues.

Në njoftimin paraprak të ministrisë, të publikuar me të dhënat deri në orën 16:30, bëhet e ditur se gjashtë persona janë paraqitur për trajtim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Bëhet fjalë për një deputet, një përfaqësuese të medias dhe katër protestues, të cilët janë larguar nga spitali pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) kanë marrë trajtim një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja e tyre shëndetësore është raportuar e qëndrueshme. /lajmishqip.net