Kosovë

Sonte ndryshon ora: Akrepat kthehen 60 minuta prapa, fitojmë një orë më shumë gjumë

Në natën ndërmjet 24 dhe 25 tetorit 2026, Kosova dhe vendet e tjera evropiane që zbatojnë ndërrimin sezonal të orës do të kalojnë në orën dimërore. Në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës, akrepat do të kthehen 60 minuta prapa, duke shënuar sërish orën 02:00.

Me këtë ndryshim, qytetarët do të kenë mundësi të flenë një orë më shumë gjatë natës. Ndërkohë, mëngjeset do të jenë më të ndritshme, ndërsa errësira do të fillojë të bjerë më herët gjatë orëve të pasdites.

Megjithatë, ndryshimi sezonal i orës mund të ndikojë përkohësisht në ritmin biologjik dhe cilësinë e gjumit. Për këtë arsye, disa ekspertë të shëndetit mbështesin mbajtjen e përhershme të orës standarde, duke vlerësuar se ajo përputhet më mirë me ciklin natyror të gjumit dhe zgjimit.

Ndërkohë, në Bashkimin Evropian vazhdojnë diskutimet për ndërprerjen e praktikës së ndërrimit të orës dy herë në vit, por përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ende nuk kanë dhënë rezultat.

Megjithëse Parlamenti Evropian e mbështeti në vitin 2019 propozimin për heqjen e ndërrimit sezonal të orës, shtetet anëtare nuk kanë arritur një qëndrim të përbashkët për zbatimin e tij. Si rrjedhojë, rregullat aktuale mbeten në fuqi dhe ora vazhdon të ndryshojë të dielën e fundit të marsit dhe të tetorit./lajmishqip.net