Kosovë

Gjini paralajmëron interpelancë për krizën energjetike: Kosova në kolaps, miliona euro shpenzohen për import

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka paralajmëruar se partia e tij do të kërkojë interpelancë me Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.

Në një konferencë për media, Gjini ka deklaruar se Kosova po përballet me një krizë të rëndë energjetike, duke pretenduar se vetëm gjatë muajit shtator janë shpenzuar rreth 27 milionë euro për importin e energjisë elektrike.

“Sot e kemi thirrur në konferencë për shtyp për me e kthy vëmendjen e opinionit të Kosovës te gjendja në të cilën sot është Kosova. Që ndërlidhet me ekonominë, që ndërlidhet pothuajse me gjithçka tjetër, e që ka të bëjë me energjinë elektrike, me energjinë në Kosovë”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka theksuar se kostoja e lartë e importit të energjisë po rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët, si përmes faturave të energjisë elektrike, ashtu edhe përmes shpenzimeve nga buxheti i shtetit.

“Më duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps. Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Gjinit, qytetarët e Kosovës e bartin barrën financiare të importit të energjisë edhe në mënyrë të tërthortë, përmes taksave që paguajnë në buxhetin e shtetit.

Duke paraqitur të dhëna për gjendjen energjetike, ai ka pretenduar se në momentin e mbajtjes së konferencës, prodhimi vendor ishte rreth 372 megavatë, ndërsa kërkesa për energji elektrike tejkalonte 800 megavatë.

“Duhet me ju thënë që importi i energjisë elektrike deri tash është diku 27 milion euro. Këtë veç shtatorit jemi duke folur, vetëm shtatorin”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka paralajmëruar se, për shkak të dallimit të madh ndërmjet prodhimit vendor dhe kërkesës për energji elektrike, shpenzimet për importin mund të arrijnë në të paktën dy milionë euro në ditë.

“Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat tash e kërkesën në këto momente e kemi mbi 800 megavat. Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët. Mundet me shku shumë më lart. Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importu energji elektrike 2 milion euro në ditë”, ka thënë ai.

Gjatë konferencës, Gjini ka ngritur shqetësime edhe për tenderin e riparimit të bojlerit të njërit prej blloqeve prodhuese të energjisë elektrike. Ai ka akuzuar Qeverinë për dështim të qëllimshëm të këtij procesi, duke pretenduar se tenderi është mbyllur pa u shpallur fitues, çka ka penguar realizimin e riparimeve.

“Të njëjtat kompani për që licencohen për transport të energjisë elektrike, edhe për mashtrime të tjera janë të njëjtat të njëjtat, prapë janë të njëjtat. Për të cilat edhe mediat edhe ne e kemi folur për një kohë të gjatë”, ka deklaruar ai.

Gjini ka rikujtuar edhe deklaratat e mëhershme të kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës për bojlerët dhe filtrat e termocentraleve, duke e kritikuar Qeverinë për gjendjen aktuale të sektorit energjetik.

“E dini që kurti ka dalë në Kuvend të Kosovës para nja 3 viteve, edhe ju ka mbajtur ligjëratë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për bojlerat edhe për filterat. E tash po ju tregoj diçka. Këta e kanë dështu me qëllim tenderin e riparimit të bojlerave, bojlerit të kurtit”, është shprehur Gjini.

Sipas tij, tenderi fillimisht është hapur dhe më pas është mbyllur pa përzgjedhjen e ndonjë fituesi. Gjini ka pretenduar se një veprim i tillë ka mundësuar zbulimin e çmimeve të ofertuesve, duke ngritur dyshime për parregullsi dhe korrupsion në këtë proces.

“E kanë hapur tenderin, e kanë mbyllur tenderin pa fitues, për me i zbulu çmimet e ofertave që është aferë korruptive brutale, kanë marrë ankesa edhe ai bojleri i kurtit është i pariparuar”, ka deklaruar ai.

Në përfundim, Gjini ka paralajmëruar se mosriparimi i bojlerit mund të shkaktojë probleme të tjera në prodhimin e energjisë elektrike gjatë dimrit. Sipas tij, blloku përkatës mund të detyrohet të ndërpresë sërish funksionimin gjatë muajve të ftohtë, duke e rënduar edhe më tej situatën energjetike në vend. /lajmishqip.net