Kosovë

Cakolli ngre dilema për seancën e 9 shtatorit: Si mund të vazhdohet jashtë afateve kushtetuese?

Reklamë

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka ngritur pikëpyetje rreth bazës kushtetuese për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit më 9 shtator, duke vlerësuar se paraprakisht do të duhej kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për pasojat juridike të tejkalimit të afatit.

Përmes një postimi në Facebook, Cakolli pyeti se si mund të thirret dhe të merret pjesë në një seancë që, sipas tij, zhvillohet “jashtë çdo afati kushtetues”, pa iu drejtuar më parë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar pasojën juridike të shkeljes së afatit.

Reklamë

“Qysh thirret dhe merret pjesë në një seancë jashtë çdo afati kushtetues, pa iu drejtuar njëherë Gjykatës Kushtetuese për pasojën juridike të shkeljes së afatit?”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka theksuar se seanca pritet të mbahet më shumë se një muaj pas përfundimit të afatit që, sipas interpretimit të tij, ishte përcaktuar qartë për konstituimin e Kuvendit, si dhe pas një afati tjetër shtesë që ai e cilësoi si të paraqitur pa bazë të qartë kushtetuese.

Cakolli ngriti edhe dilemën nëse një afat kushtetues mund të tejkalohet vetëm për faktin se nuk është përcaktuar shprehimisht pasoja juridike e mosrespektimit të tij.

“A i bjen kjo që secili afat kushtetues që s’e ka të përcaktuar një pasojë konkrete mund të tejkalohet, ndërsa akterët të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë?”, ka pyetur ai.

Reklamë

Sipas Cakollit, trajtimi selektiv i afateve kushtetuese rrezikon t’ua humbë atyre karakterin juridik dhe t’i shndërrojë në çështje të kalkulimit politik.

“Sepse nëse afatet vlejnë vetëm kur u konvenojnë partive, ato pushojnë së qeni afate kushtetuese dhe shndërrohen në afate politike”, ka shkruar Cakolli. /lajmishqip.net