Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se aktualisht në LDK nuk ka proces të hapur për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Duke komentuar deklaratën e Hykmete Bajramit, e cila ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar për kryetare të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme të brendshme, Haziri tha se një garë e tillë nuk është hapur në këtë fazë.
“Garë nuk ka. Në LDK nuk ka proces të tillë dhe kur s’ka proces, nuk ka proces. Këtu ia qes pikën. Nuk flas për këtë punë”, deklaroi Haziri në emisionin “Click” të RTV21.
Ai shtoi se brenda LDK-së synohet ajo që është e mundshme dhe jo vetëm ajo që mund të jetë e dëshirueshme, duke lënë të kuptohet se zhvillimet e ardhshme do të varen nga rrethanat politike dhe mbështetja brenda strukturave të partisë.
Duke folur për pozicionin e tij politik, Haziri theksoi se do të vazhdojë të jetë pjesë e LDK-së, pavarësisht proceseve që mund të zhvillohen në të ardhmen.
“Lutfi Haziri gjithmonë ka me qenë në LDK. Në asnjë situatë, në asnjë proces politik nuk kam kryqëzuar”, shtoi ai. /lajmishqip.net
