Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar pjesëmarrjen në seancën konstituive të Kuvendit të thirrur për 9 shtator, duke pretenduar se mandatet e deputetëve tashmë kanë përfunduar dhe se çdo veprim i mëtejshëm parlamentar do të ishte jokushtetues.
I ftuar në emisionin “Canape” në T7, Haradinaj deklaroi se përgjegjësia për situatën e krijuar, sipas tij, bie mbi partinë fituese, e cila nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Partia fituese që nuk e ka konstituu Kuvendin, mandatet e deputetëve janë djegur, shpenzimet në zgjedhje janë djegë…”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se, sipas interpretimit të tij, pjesëmarrja në një seancë parlamentare pa një mandat kushtetues të vlefshëm nuk lejohet.
“Ne nuk jemi deputetë, unë s’kam mandat më. Me shku në një seancë pa mandat kushtetues nuk lejohet. Mandati i parë është djegë, edhe mandati i dytë është djegë të shtunën, më 5 shtator. Çdo veprim që marrim është jokushtetues”, tha Haradinaj.
Qëndrimi i Haradinajt mbetet një interpretim politik dhe juridik i tij lidhur me afatet e konstituimit të Kuvendit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se seanca konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar plotësisht pa zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, ndërsa vlerësimi për kushtetutshmërinë e veprimeve konkrete i takon institucioneve kompetente. /lajmishqip.net
