Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se synon të garojë për postin e kryetares së LDK-së në zgjedhjet e ardhshme të brendshme të partisë.
Bajrami ka bërë të ditur gjithashtu se nuk do ta pranonte kandidaturën e LDK-së për kryeministre nëse partia do të drejtohej nga një person tjetër.
“Nuk do të pranoja që të isha kandidate e LDK-së për kryeministre në qoftë se partinë do ta udhëhiqte dikush tjetër”, deklaroi Bajrami në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Sipas saj, zhvillimet aktuale politike nuk duhet të ndërlidhen me procesin e ardhshëm zgjedhor brenda LDK-së, i cili, sipas planifikimeve të përmendura prej saj, pritet të zhvillohet në shtator ose nëntor të vitit 2027.
Bajrami theksoi se, nëse deri atëherë nuk do të ketë ndryshime pozitive dhe procesi zgjedhor zhvillohet përmes një gare të drejtë dhe të hapur, ajo do të jetë ndër kandidatët për drejtimin e partisë.
“Nëse ka garë fer dhe të hapur, unë do të jem njëra prej kandidateve”, deklaroi Bajrami. /lajmishqip.net
