Të mërkurën, më 9 shtator, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ka mbetur e papërfunduar që nga fillimi i saj më 6 gusht. Seanca është thirrur për në orën 11:00 nga kryesuesi Avni Dehari, ndërsa mbetet e paqartë nëse këtë herë do të arrihet përmbyllja e procesit të konstituimit.
Në vazhdimin e seancës, deputetët pritet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, hap i domosdoshëm për përfundimin e konstituimit të legjislaturës së re dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të tjera.
Dy partitë e mëdha opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se deputetët e partisë së tij do të jenë të pranishëm, duke shprehur shpresën që seanca të përfundojë me konstituimin e Kuvendit.
Edhe LDK-ja ka vendosur të marrë pjesë. Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu ka deklaruar se Grupi Parlamentar do t’i kontribuojë konstituimit të Kuvendit, duke e vlerësuar funksionalizimin e institucioneve si të domosdoshëm në fazën aktuale politike.
Ndërkohë, Aleanca ende nuk e ka formalizuar qëndrimin përfundimtar. Kryesia e partisë pritet të mblidhet më 8 shtator, ndërsa zëdhënësi Kushtrim Xhemaili ka thënë se pozicioni fillestar që mbizotëron brenda saj është mospjesëmarrja në seancë.
Përtej konstituimit të Kuvendit, beteja kryesore politike mbetet zgjedhja e presidentit të ri. Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja arritën më 31 gusht marrëveshje që kandidat i përbashkët të jetë diplomati dhe juristi Bekim Sejdiu. Megjithatë, gjashtë nga 18 deputetët e LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e tij, duke e vënë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes.
LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18. Pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, Albin Kurti ka deklaruar se, në rrethanat aktuale, maksimumi i mbështetjes që mund të sigurohet për Sejdiun është 74 vota. Ky numër nuk e garanton kuorumin e nevojshëm prej së paku 80 deputetësh në dy rundet e para të procedurës për zgjedhjen e presidentit.
PDK-ja dhe Aleanca deri më tani nuk e kanë mbështetur marrëveshjen LVV–LDK për presidentin dhe kanë refuzuar përfshirjen në bisedime politike të iniciuara nga Albin Kurti.
Nëse partitë nuk arrijnë të sigurojnë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues, vendi rrezikon të hyjë sërish në një proces të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Përplasjet brenda LDK-së rreth kandidaturës së Sejdiut e kanë bërë edhe më të pasigurt shmangien e këtij skenari.
Kosova ndërkohë vazhdon të udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila e mori këtë përgjegjësi më 4 prill 2026. Kushtetuta përcakton se posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj, çka e vendos 4 tetorin si kufirin gjashtëmujor të këtij mandati të përkohshëm. /lajmishqip.net
