Lajme

Operacion i gjerë antidrogë në Sarandë, 20 persona në pranga – sekuestrohen kokainë, kanabis, armë dhe para

Reklamë

Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në Sarandë, ku Policia shqiptare ka kapur dhe ndaluar 20 persona, pas një hetimi që kishte zgjatur rreth dy muaj.

Operacioni, i koduar “Vjeshta”, u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa ndaj 20 personave Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Reklamë

Gjatë aksionit janë sekuestruar sasi kokaine dhe kanabisi, të ndara në dhjetëra doza dhe që dyshohet se ishin për shitje. Policia ka sekuestruar gjithashtu dy pistoleta, katër automjete, 19 telefona celularë dhe një shumë parash në lekë dhe euro.

Dy prej të ndaluarve, D. S. dhe Sh. B., janë kapur me nga një pistoletë gjatë kontrolleve të kryera në bazë të vendimeve të Gjykatës. Armët janë sekuestruar dhe pritet t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Sipas të dhënave të hetimit, personat e përfshirë dyshohet se merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Sarandës dhe Ksamilit, përfshirë zonat e plazheve, lokalet e natës dhe hapësirat pranë shkollave.

Hetimi kishte nisur më herët. Më 31 korrik, në kuadër të të njëjtit procedim, Policia kishte arrestuar në flagrancë tre persona dhe kishte sekuestruar rreth pesë kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që sipas hetimeve do të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil.

Reklamë

Në kuadër të operacionit është proceduar në gjendje të lirë edhe një 36-vjeçar nga Lushnja. Sipas Policisë, ai kishte kundërshtuar efektivët me qëllim pengimin e kontrollit në një dhomë hoteli, ku u gjet një prej personave të ndaluar dhe u sekuestrua një armë zjarri.

Operacioni është zhvilluar me pjesëmarrjen e disa strukturave të Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. /lajmishqip.net