Autoritetet e sigurisë në Turqi kanë ndërmarrë një sërë operacionesh të njëpasnjëshme kundër personave të dyshuar për veprimtari spiunazhi në favor të shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad. Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë çastet e bastisjeve të kryera nga njësitë kundër terrorizmit dhe Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (MIT).
Sipas të dhënave zyrtare, hetime të përbashkëta mes inteligjencës dhe Prokurorisë Kryesore të Stambollit kanë çuar në identifikimin e qelizave që përdornin kompani fiktive dhe rrjete tregtare si mbulesë për mbledhjen e të dhënave operative. Persona të përfshirë në këto rrjete akuzohen se kanë mbledhur informacione mbi shtetas të huaj, përfshirë aktivistë dhe studentë me origjinë palestineze që jetojnë në Turqi, si dhe për përpjekje për të depërtuar në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit me teknologji ushtarake.
Gjatë viteve të fundit, Turqia ka intensifikuar operacionet kundër spiunazhit, duke arrestuar dhjetëra individë në qytete të ndryshme si Stambolli dhe Ankara. Aksionet e fundit kanë marrë mbështetje të gjerë nga opinioni publik në vend, në një kohë kur marrëdhëniet diplomatike mes Ankarasë dhe Tel Avivit mbeten jashtëzakonisht të tensionuara për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Organet e drejtësisë konfirmojnë se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të infrastrukturës financiare dhe komunikimeve të enkriptuara që përdoreshin nga të dyshuarit.
