Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar në një konferencë për media se, sipas tij, Albin Kurti nuk po synon gjetjen e një zgjidhjeje për krizën institucionale, por po përpiqet të krijojë rrethana që zgjedhjet e reja të mbahen në datat që i përshtaten politikisht.
Gjini përmendi 22 nëntorin dhe 27 dhjetorin si dy data që, sipas vlerësimit të tij, Kurti po i synon për zgjedhje të reja. Ai pretendoi se për realizimin e këtij qëllimi, kreu i Vetëvendosjes ka vënë në lajthitje qytetarët dhe një pjesë të spektrit politik.
Kreu i AAK-së kritikoi edhe vazhdimin e negociatave me Kurtin, duke thënë se nuk e kupton pse një pjesë e spektrit politik vazhdon t’u besojë premtimeve dhe propozimeve të tij.
Në javët e fundit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Vjosa Osmani kanë marrë pjesë në disa takime me Kurtin në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit institucional dhe arritjen e një marrëveshjeje politike./lajmishqip.net
