Nënpresidenti amerikan JD Vance ka refuzuar ta përshkruajë si “luftë” përplasjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa ka shmangur parashikimet nëse konflikti gjashtëmujor mund të përfundojë para zgjedhjeve të nëntorit, kur republikanët synojnë të ruajnë shumicat e tyre të ngushta në Kongres.
“Nuk do ta quaja luftë. Aktualisht nuk ka të shtëna aktive”, deklaroi Vance gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nëse përplasjet mund të përfundojnë para zgjedhjeve për Kongresin, të parapara më 3 nëntor, raporton Associated Press.
Deklarata e nënpresidentit amerikan erdhi në të njëjtën ditë kur Irani sulmoi Kuvajtin, aleat të SHBA-së në Gjirin Persik, duke vazhduar kundërpërgjigjen ndaj sulmeve amerikane të kryera në Iran në fillim të kësaj jave.
Sipas Associated Press, Vance deklaroi se Shtetet e Bashkuara kishin “përgjegjësi” të ndërmerrnin sulmet, pasi, sipas tij, Irani vazhdonte të godiste anijet tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Qëndrimi i Vance për intensitetin e luftimeve vjen në një periudhë të ndjeshme politike për administratën e presidentit Donald Trump, ndërsa republikanët synojnë të ruajnë kontrollin e Kongresit. Konflikti, për të cilin Shtëpia e Bardhë fillimisht kishte thënë se do të zgjaste vetëm disa javë, ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe në shtimin e presioneve inflacioniste.
Vance tha se nuk dëshiron të vendosë “afate artificiale” për përfundimin e konfliktit, duke shtuar se nuk mund të parashikojë se kur do të marrë fund situata aktuale.
Administrata amerikane është përballur edhe me kritika pasi, gjatë korrikut, riklasifikoi katër ushtarë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në sistemin e Pentagonit për regjistrimin e viktimave. Ushtarët e vrarë ose të plagosur pas dështimit të një armëpushimi të shkurtër SHBA-Iran u vendosën në kategorinë e re “Operacione jashtë vendit”, pasi fillimisht ishin përfshirë në bilancin e viktimave të luftës./lajmishqip.net
