Bota

Akuza e fortë e kongresmenit amerikan: Vuçiq e ka kthyer Serbinë në qendër për sabotatorët rusë

Reklamë

Kongresmeni republikan amerikan, Joe Wilson, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se e ka kthyer vendin në një qendër për rekrutimin dhe trajnimin e personave të përfshirë në aktivitete sabotuese të lidhura me Rusinë.

Wilson, përmes një reagimi në platformën X, iu referua rastit të një të dyshuari për një komplot të dyshuar rus në Gjermani. Sipas tij, personi në fjalë kishte udhëtuar nga Lajpcigu drejt Serbisë.

Reklamë

“Vuçiq e ka kthyer Serbinë në një qendër për rekrutimin dhe trajnimin për terrorizëm dhe sabotazh rus”, shkroi Wilson, transmeton KosovaPress.

Kongresmeni amerikan tha se agjentët e presidentit rus, Vladimir Putin, nuk duhet të jenë të mirëpritur në Evropë.

Wilson është kongresmen republikan nga Karolina e Jugut dhe kryeson Komisionin Amerikan të Helsinkit. Ai ka kritikuar vazhdimisht lidhjet e Beogradit me Moskën dhe ka kërkuar orientim më të fuqishëm të Serbisë drejt strukturave euroatlantike.

Në korrik, Wilson kishte deklaruar se Serbia duhet të distancohet nga Rusia, Kina dhe Irani, nëse synon integrim të plotë në institucionet perëndimore.

Reklamë

Ai ka mbështetur gjithashtu zhvendosjen e sesionit të vitit 2027 të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Beogradi në Charleston të Karolinës së Jugut, duke ngritur, ndër të tjera, shqetësime për ndikimin rus në Serbi.