Kosovë

Kurti dhe Murati në Doganën e Kosovës: Të hyrat arrijnë në 1 miliard e 347 milionë euro

Reklamë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar sot Doganën e Kosovës, institucion që ditë më parë shënoi 27-vjetorin e themelimit.

Sipas komunikatës për media, gjatë vizitës është diskutuar për rezultatet e arritura nga ky institucion, me theks të veçantë në rritjen e të hyrave, luftimin e ekonomisë joformale, lehtësimin e tregtisë dhe modernizimin e administrimit doganor.

Reklamë

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Dogana e Kosovës ka mbledhur deri më tani gjatë këtij viti 1 miliard e 347 milionë euro të hyra, që paraqet një rritje prej 6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat që synojnë lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve. Në mesin e tyre janë përmendur përmbyllja e procesit të shtetëzimit të terminaleve doganore, si dhe mundësia e deklarimit të mallrave para arritjes së tyre.

Sipas Qeverisë, zbatimi i këtij sistemi ka ndikuar që koha e procesimit të reduktohet për rreth 70 për qind.

Në njoftim theksohet gjithashtu se Dogana e Kosovës ka avancuar në kontrollet kufitare dhe në përdorimin e teknologjisë. Funksionalizimi i skanerit në Merdarë, sipas komunikatës, ka rritur kapacitetet për identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Reklamë

Në kuadër të modernizimit të mëtejmë po avancohen edhe Dritarja e Vetme Kombëtare, Tranziti i Përbashkët, automatizimi i proceseve dhe forcimi i kapaciteteve teknologjike të Doganës së Kosovës, thuhet në komunikatë./lajmishqip.net