Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se, pavarësisht vështirësive të krijuara në zbatimin e marrëveshjes me LDK-në për zgjedhjen e presidentit, ende po bëhen përpjekje për ta shmangur shkuarjen në zgjedhje. Pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, Kurti tha se kandidatura e dakorduar për president mbetet ajo e profesorit Bekim Sejdiu.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së tha se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve, duke përsëritur se propozimi i dakorduar mbetet profesori Bekim Sejdiu.
Kurti i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvend, duke thënë se edhe përfaqësuesit e pakicave kanë shprehur keqardhje që marrëveshja me LDK-në nuk është zbatuar.
“Kemi pasur diskutime për marrëveshjen politike që kemi arritur me LDK-në për emrin e përveçëm të presidentit, për të cilin jemi dakorduar tashmë, për profesorin Bekim Sejdiu. Ata ndajnë keqardhje që marrëveshja nuk po mund të realizohet sepse gjashtë deputetë të LDK-së nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti, përcjell transmetuesi publik.
Ai tregoi se në takim kanë marrë pjesë dhjetë përfaqësues, pesë prej të cilëve janë pjesë e Qeverisë dhe pesë të tjerë të legjislaturës së ardhshme.
“Ishim dhjetë veta, pesë jemi në qeveri, pesë në Kuvendin e legjislaturës së ardhshme. Janë dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptianë dhe nga një serb, ashkali dhe rom. I falënderova për kontributin që japin dhe do të vazhdojmë të ecim tutje bashkë duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet, tash që kemi marrëveshje”, u shpreh ai.
Kurti pranoi se situata politike është bërë më e vështirë pas zhvillimeve të fundit, por tha se, pavarësisht kësaj, është shënuar edhe progres.
“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres”, deklaroi Kurti, duke shtuar se në këtë legjislaturë ka më shumë vota në dispozicion për zgjedhjen e presidentit krahasuar me të kaluarën.
Kurti bëri të ditur se për hapat e ardhshëm do të zhvillojë konsultime të reja me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai foli edhe për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke treguar se diskutimi mes tyre është përqendruar në situatën e krijuar brenda LDK-së dhe në mundësitë për të gjetur një rrugëdalje.
“Nga kryetari Abdixhiku jam njoftuar mbi situatën që ekziston në subjektin e tij. Gjithashtu e njoftova edhe unë për diskutimet me GP të LVV. Tash na duhet një mbledhje e re e Kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë që të ecim përpara. Vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se më parë”, tha Kurti.
I pyetur konkretisht për kandidatin që vazhdon të jetë në tryezë për postin e presidentit, Kurti përsëriti se bëhet fjalë për profesorin Bekim Sejdiu.
“Jemi marrë vesh, i kemi pasur autorizimet për të negociuar. Negociatat kanë rezultuar, shyqyr, me marrëveshje, por duket se dikush e ka pasur shumë më shumë problem që kemi arritur marrëveshje, sesa kur nuk kishim marrëveshje”, theksoi Kurti.
Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan edhe sot një takim në Kuvend, në përpjekje për të diskutuar situatën e krijuar pas kundërshtimeve brenda LDK-së ndaj marrëveshjes për presidentin.
Pas përfundimit të takimit, Kurti u largua nga ndërtesa e Kuvendit përmes hyrjes anësore.
Ndërkohë, edhe Abdixhiku është deklaruar pas takimit, duke thënë se bëhej fjalë për një njoftim të rregullt mbi situatën e fundit pas zhvillimeve brenda partisë së tij. Ai tha se e ka informuar Kurtin për gjendjen e krijuar pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk i kanë dhënë mbështetje kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, ndërsa palët vazhdojnë t’i shqyrtojnë mundësitë për tejkalimin e situatës./lajmishqip.net
