Lajme

Studentët në Serbi pretendojnë se u spiunuan me Pegasus, dalin me mesazh të fortë: “E dimë çfarë po bëni, ju kapëm”

Reklamë

Katërmbëdhjetë pjesëmarrës të lëvizjes studentore në Serbi dyshohet se janë përgjuar dhe spiunuar përmes softuerit Pegasus, ka raportuar mediumi serb “Danas”, transmeton KosovaPress.

Pretendimet u bënë publike gjatë konferencës së parë zyrtare për media të lëvizjes studentore, të mbajtur të mërkurën në Beograd. Studentë nga universitete të ndryshme të Serbisë prezantuan të dhëna për atë që e cilësuan si mbikëqyrje të fshehtë të telefonave të tyre.

Reklamë

Sipas “Danas”, cak i mbikëqyrjes dyshohet se kanë qenë disa prej anëtarëve më të ekspozuar të lëvizjes studentore, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës. Në mesin e tyre thuhet se kishte edhe qytetarë të përfshirë në organizimin e zgjedhjeve të fundit lokale në dhjetë komuna.

Gjatë konferencës, studentët deklaruan se kanë identifikuar softuerin që, sipas tyre, është përdorur për komprometimin e telefonave dhe qasjen në komunikimet private.

Ela Zekoviq, duke folur në emër të studentëve, iu drejtua me një mesazh personave që, sipas pretendimeve të tyre, qëndrojnë prapa kësaj mbikëqyrjeje.

“E dimë çfarë po bëni, ju kapëm dhe nuk do t’ju kalojë. Spiunuat njerëz që ruanin votat, u futët në bisedat e tyre me familjen, në fotografitë e tyre, në të gjithë jetën e tyre private, të bindur se askush nuk do ta zbulonte kurrë. Ne e zbuluam. E provuam”, deklaroi Zekoviq.

Reklamë

Ajo tha se bëhet fjalë për një mjet që kushton miliona euro dhe që është krijuar për të funksionuar pa u zbuluar.

“Një mjet që kushton miliona euro, i krijuar për të qenë i padukshëm, sot është para syve të të gjithë publikut. Jemi të përgatitur për mundësinë që frikësimi të shkojë edhe më tej”, shtoi ajo.

Studentët i dërguan gjithashtu një mesazh presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e ndërlidhur çështjen edhe me zgjedhjet e ardhshme.

“A do të jetë presidenti në Serbi ditën e zgjedhjeve, sepse gjatë gjithë ditëve të fushatës do të jetë i sigurt për një fakt, dhe ai është se studentët po fitojnë”, tha Zekoviq.

Ajo theksoi se pretendimet për përgjim dhe mbikëqyrje nuk do ta zmbrapsin lëvizjen studentore nga aktivitetet e saj.

“Nuk na kanë lëvizur as edhe një milimetër. Jemi edhe më të motivuar se dje. Më i mençuri nuk dorëzohet, më i mençuri organizohet. Më i mençuri nuk përgjigjet me kërcënime; më i mençuri dokumenton, dëshmon dhe publikon”, deklaroi Zekoviq.

Në fund të konferencës, studentët deklaruan se janë të gatshëm për zgjedhje dhe se do të vazhdojnë organizimin e tyre pavarësisht pretendimeve për mbikëqyrje./lajmishqip.net

Reklamë