Zhvillime të reja janë raportuar në Turqi lidhur me të ardhmen e futbollistit të Kosovës, Milot Rashica.
Shumë media turke të mërkurën i kanë kushtuar vëmendje të madhe situatës dhe të ardhmes së Rashicës te Beshiktashi.
Sipas raportimeve të mediave turke, Beshiktashi nuk llogarit më në shërbimet e sulmuesit të krahut.
Klubi nga Stambolli raportohet se ka vendosur të mos e përfshijë Rashicën në listën e lojtarëve për pjesën e mbetur të edicionit të Superligës së Turqisë.
Beshiktashi, sipas këtyre raportimeve, i ka kërkuar Rashicës të gjejë një klub të ri për ta vazhduar karrierën. Megjithatë, reprezentuesi i Kosovës dëshiron të qëndrojë te skuadra turke.
“Një vendim i rëndësishëm është marrë në lidhje me Milot Rashicën, i cili nuk dëshiron të largohet nga Beshiktashi. Pavarësisht dëshirës së futbollistit kosovar për të qëndruar me ekipin, Beshiktashi nuk do ta përfshijë atë në skuadër. Ndërsa pasiguria rreth të ardhmes së Rashicës vazhdon, është raportuar se skuadra bardhezi ka vendosur të mos e përfshijë lojtarin në skuadër”, shkruajnë mediat turke.
Rashica, 30-vjeçar, ka kontratë edhe për një vit me Beshiktashin, të cilit iu bashkua në vitin 2023 nga Norwich City për një shumë të raportuar prej rreth pesë milionë eurosh./lajmishqip.net
