Dënimi i Duane “Keffe D” Davis në Las Vegas i ka dhënë fund një prej rasteve më të njohura të pazgjidhura të vrasjeve në botën e muzikës.
“Po flasim për reperin më të madh të të gjitha kohërave, një ikonë, dhe për 30 vjet nuk pati asnjë arrestim apo ndjekje penale”, ka thënë për BBC-në ish-prokurori Neama Rahmani, duke komentuar dënimin për vrasjen e reperit Tupac Shakur. “Kjo është diçka e madhe. Ishte një rast i vështirë. Është një rast i vjetër i pazgjidhur”.
Sipas tij, vendimi i jep fund një misteri gati 30-vjeçar dhe, në njëfarë mënyre, shënon edhe përfundimin e një epoke.
Shpallja e vendimit solli lot dhe emocione te familjarët e Shakurit në sallën e gjyqit, ndërsa Davis paralajmëroi se do të apelojë. Por vendimi ka rikthyer njëkohësisht vëmendjen te një tjetër rast që vazhdon të mbetet i pazgjidhur – vrasja e Notorious B.I.G., apo Biggie Smalls, emri i vërtetë i të cilit ishte Christopher Wallace.
Wallace, nga New Yorku, ishte rivali i madh muzikor i Shakurit, ndërsa të dy reperët simbolizonin rivalitetin mes Bregut Lindor dhe Bregut Perëndimor që dominoi hip-hop-in e viteve ’90. Wallace u vra në Los Angeles vetëm disa muaj pas Shakurit dhe në rrethana të ngjashme, gjatë të shtënave nga një automjet. Për vrasjen e tij askush nuk është akuzuar.
Prej vitesh kanë ekzistuar teori se dy vrasjet mund të kenë qenë të lidhura, ndërsa emri i Wallace u përmend edhe gjatë gjyqit të Duane Davis. Davis kishte qenë në të njëjtën festë natën kur u vra Wallace dhe ishte intervistuar nga policia për këtë çështje. Hetuesi që e zhvilloi atë intervistë dëshmoi edhe në gjyqin për vrasjen e Tupacut.
Përparimi që përfundimisht çoi në ngritjen dhe zhvillimin e çështjes penale për vrasjen e Shakurit erdhi kryesisht nga një burim i pazakontë – deklaratat e vetë Davisit.
Në dokumentarë, kujtimet e tij, podkaste dhe madje në një intervistë sekrete me policinë, Davis kishte folur për rolin e tij në ngjarjen që përfundoi me vdekjen e Shakurit. Ai kishte deklaruar se e kishte vendosur një armë në ulësen e pasme dhe se nipi i tij, Orlando Anderson, e kishte përdorur atë për ta qëlluar Shakurin, kur iu afruan automjetit të tij në Las Vegas më 7 shtator 1996.
Anderson u vra në vitin 1998, ndërsa më herët kishte mohuar se ishte personi që e kishte vrarë Shakurin.
Gjatë gjykimit nuk pati dëshmitarë okularë që e vendosnin Davisin në automjet, nuk u paraqit arma e vrasjes dhe nuk kishte prova fotografike apo video. Mbrojtja argumentoi madje se nuk kishte prova që ai kishte qenë në Las Vegas atë natë.
Rahmani e ka cilësuar çështjen si jashtëzakonisht të vështirë për ndjekje penale. Sipas tij, thashethemet dhe spekulimet rreth Davisit kishin qarkulluar prej dekadash, por vendimi për ta akuzuar dhe dërguar çështjen në gjykim përbënte një rrezik të konsiderueshëm për prokurorët.
“Shikoni, kur jeni prokuror, pritet që të fitoni çdo herë. Ata morën një vendim të vështirë për të ngritur një akuzë për një rast që shumë njerëz mendonin se mund të ishte i humbur”, ka shpjeguar ai. “Dhe ata sollën drejtësinë, kur të tjerët as nuk u përpoqën”.
Avokati i Davisit, Michael Sanft, i kërkoi trupit gjykues të përqendrohej te provat konkrete, duke shtruar pyetjen: “Çfarë faktesh keni?”. Mbrojtja argumentoi se Davis duhej konsideruar një person që kishte sajuar histori për të shitur libra dhe për të fituar para.
“Nuk ka prova”, argumentoi avokati i tij para gjykatës.
Kur në sallën e gjyqit u lexua vendimi fajësues, familjarët e Shakurit reaguan me emocione. Disa prej tyre qanë, të tjerë u përqafuan dhe u kapën për dore, ndërsa një familjar përqafoi edhe njërin prej prokurorëve të çështjes.
Avokati Shaun Kent tha se çështja kishte evoluar pothuajse me çdo intervistë dhe sa herë që Davis kishte vendosur të fliste më shumë për rastin.
“Nuk ka dëshmitarë të tjerë, përveç tij”, i kishte thënë Kent BBC-së para gjykimit, duke vlerësuar se “dëshmitari më i fortë kundër tij – është ai vetë”.
Rahmani, ndërkaq, tha se sipas vlerësimit të tij, Davis do të mbahet mend si një person që me deklaratat e veta kontribuoi drejtpërdrejt në ndjekjen penale ndaj tij dhe që, sipas tij, me shumë gjasë nuk do të ishte akuzuar po të kishte heshtur.
“Ai vërtet nuk mund ta ndalte veten”, shtoi Rahmani. “Edhe kur u arrestua dhe ishte në paraburgim, ai jepte intervista”.
Një pjesë e madhe e gjyqit për vrasjen e Shakurit e ktheu vëmendjen në vitet 1990, kur dhuna e bandave ishte ndërthurur me skenën e hip-hop-it dhe rivalitetin mes reperëve të Bregut Lindor dhe Bregut Perëndimor.
Ishte një periudhë e karakterizuar edhe nga mosbesimi i thellë ndaj policisë dhe një kulturë e rrugës që kundërshtonte bashkëpunimin me autoritetet.
Edhe Shakur, pasi ishte qëlluar disa herë në sulmin nga automjeti që më vonë rezultoi fatal, kishte refuzuar të bashkëpunonte me autoritetet. “Ne do të kujdesemi për këtë”, raportohet se kishte thënë ai në ambulancë, kur një oficer po përpiqej ta pyeste se kush e kishte sulmuar.
Një heshtje e ngjashme e shoqëroi disa muaj më vonë edhe vrasjen e Biggie Smalls.
Biggie, një prej emrave më të mëdhenj të rap-it të Bregut Lindor, po largohej nga një festë pas ceremonisë “Soul Train Music Awards” në Los Angeles, kur një Chevrolet i zi iu afrua automjetit të tij në semafor dhe nga ai u hap zjarr më 9 mars 1997. Vrasja ndodhi pothuajse saktësisht gjashtë muaj pas sulmit që i mori jetën Shakurit.
Të dy ishin artistë të nominuar për Grammy dhe ndër emrat më të mëdhenj të zhanrit të tyre, duke fituar miliona dhe duke dominuar transmetimet në radio. Ata ndodheshin gjithashtu në qendër të rivalitetit mes rap-it të Bregut Lindor dhe atij të Bregut Perëndimor, i cili u reflektua në muzikën e tyre dhe u shoqërua edhe me kërcënime e episode dhune.
Për vite me radhë, asnjëra prej vrasjeve nuk rezultoi me dënime, ndërsa rreth tyre qarkulluan teori të shumta dhe spekulime. Vrasjet u zhvilluan gjithashtu në një periudhë të tensioneve dhe dhunës mes bandave në rrugët e Los Angelesit.
Sikurse në rastin e Shakurit, edhe vrasja e Biggie-t është shoqëruar ndër vite me teori dhe emra të shumtë, por Departamenti i Policisë së Los Angelesit (LAPD) nuk ka bërë asnjë arrestim për vrasjen e tij.
“Është vërtet një njollë për LAPD-në. Fakti që kjo mund të ndodhte dhe të mos bëhej asnjë arrestim dhe askush të mos ndiqej penalisht”, ka deklaruar Rahmani, duke kujtuar se Wallace ishte vrarë në një rrugë publike në Los Angeles.
“Prokurorët nuk u pëlqen të humbasin dhe priren të jenë pak të frikësuar për të marrë rrezikun”, ka shpjeguar Rahmani. “Por, ndoshta kjo [dënimi për Tupac] do t’i inkurajojë njerëzit në Los Angeles që ta shqyrtojnë sërish, një rast të vjetër të pazgjidhur që po i afrohet 30 vjetëve”.
I pyetur nëse dënimi në rastin e Tupac Shakur mund t’i japë shtysë të re hetimit për vrasjen e Biggie-t, LAPD i ka thënë BBC-së se është në dijeni të vendimit dhe se hetimi për vrasjen e Wallace vazhdon të mbetet aktiv.
“Vrasja e Christopher Wallace mbetet një rast i hapur dhe i pazgjidhur brenda Divizionit të Grabitjeve dhe Vrasjeve të LAPD-së”, ka deklaruar togeri Elpidio Orozco, duke u bërë thirrje personave që mund të kenë informacione relevante që të kontaktojnë autoritetet./lajmishqip.net
