Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nëpërmjet deputetes Vlora Çitaku, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryesuesit më të vjetër të Kuvendit, Avni Dehari, duke kërkuar zbatimin e rregullores parlamentare dhe obligimeve kushtetuese për thirrjen e seancës më 1 shtator nga ora 11:00.
Në shkresën zyrtare potencohet qartë se “sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht kalimit të afatit kohor, Kuvendi e ka detyrim të konstituohet menjëherë”.
Letra e plotë e deputetes Çitaku:
I nderuar z. Dehari,
Në cilësinë tuaj të kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, duke u bazuar në Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emër të deputetëve të PDK-së, kërkojmë nga ana juaj që të përmbushni obligimin kushtetues e procedural duke thirrur vazhdimin e seancës më 01 shtator 2026, në ora 11:00, konform rregullave në fuqi.
Zvarritja e konstituimit të legjislaturës së re tashmë përbën një shkelje të hapur të aktit më të lartë juridik dhe injorim të aktgjykimeve të Kushtetueses, ndërsa anashkalimi i procedurave parlamentare vetëm sa e thellon krizën institucionale në vend.
Ju duhet të mbani parasysh se, mbështetur në jurisprudencën kushtetuese, tejkalimi i afateve formale nuk e shuan assesi detyrimin juridik për themelimin e plotë të institucionit të Kuvendit.
Pikërisht për këtë, duke thirrur seancën pa vonesë, ju keni përgjegjësinë dhe mundësinë direkte të shmangni shkeljet e mëtejshme dhe t’i hapni rrugë zhbllokimit institucional.
Ju rikujtojmë prerazi se mandati juaj udhëheqës si deputeti më i vjetër është strikt ceremonial dhe i përcaktuar qartë nga Kushtetuta e rregullorja, me detyrën e vetme administrative për të mundësuar vijimin e rregullt të punimeve, e assesi për të bllokuar procesin mbi baza e kalkulime politike.
Negociatat dhe kalkulimet partiake u takojnë subjekteve politike dhe ato mund të zhvillohen vetëm brenda rendit kushtetues të shtetit të Kosovës, rregulla këto të detyrueshme për secilin prej nesh.
Prandaj, ju bëjmë thirrje që pa asnjë hezitim të ftoni deputetët në seancë më 01 shtator 2026, në ora 11:00, duke garantuar kështu ushtrimin legjitim të mandatit të përfaqësuesve të popullit./lajmishqip.net
Me nderime,
Vlora Çitaku
Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës
