Lajme

Protesta në Tiranë, një person dërgohet pa ndjenja në Spitalin e Traumës: Dyshohet se u godit në sy nga plumbi i gomës

Një tjetër incident i rëndë është raportuar gjatë protestës së zhvilluar të shtunën, më 24 tetor, në Tiranë. Rreth orës 18:15, një automjet i një televizioni ka transportuar drejt Spitalit të Traumës një person me dëmtime serioze në pjesën e syrit.

Sipas informacioneve paraprake të raportuara nga Euronews Albania, protestuesi është marrë me urgjencë nga vendi i protestës, pasi dyshohet se është goditur në sy nga një plumb gome. Megjithatë, rrethanat dhe shkaku i saktë i lëndimit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Personi është dërguar në spital në gjendje të rëndë, pa ndjenja dhe me gjakderdhje të konsiderueshme në pjesën e syrit, ndërsa deri në momentin e raportimit nuk ka pasur informacione të tjera të konfirmuara për gjendjen e tij shëndetësore. /lajmishqip.net