Lajme

“Banditë të droguar me uniformë”, Berisha akuzon policinë për dhunë dhe ngacmim seksual të vajzave

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media pas protestës së zhvilluar të shtunën, më 24 tetor, në Tiranë, ku ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës dhe dhunë ndaj protestuesve.

Berisha e ka cilësuar situatën si një “ditë dhe natë terrori”, duke pretenduar se pjesëtarë të forcave “Shqiponja” dhe RENEA kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, si dhe kanë përdorur armët në kundërshtim me rregullat dhe procedurat ligjore.

Kreu i opozitës është ndalur veçanërisht te rasti i një të riu të lënduar rëndë në sy gjatë protestës, si dhe te incidentet e tjera ku janë raportuar persona të plagosur. Ai ka denoncuar gjithashtu arrestime që i ka cilësuar të paligjshme, duke pretenduar se disa qytetarë janë marrë me forcë dhe janë keqtrajtuar nga efektivët e policisë.

“Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s’kanë pasë asnjë lidhje me protestën. Unë sot këtu, dua t’i informoj shqiptarët se në mënyrë të përsëritur, banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin. Për të mos thënë jo vetëm vajzat. Horra si ata nuk ka Shqipëria!”, ka deklaruar Berisha. /lajmishqip.net