Bota

Merz paralajmëron për kërcënimin rus: Moska po përpiqet çdo ditë ta destabilizojë Gjermaninë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka akuzuar të shtunën, më 24 tetor, Rusinë se po përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Gjermaninë, duke paralajmëruar se veprimet e Moskës përbëjnë një kërcënim gjithnjë e më serioz për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.

“Po përballemi me një kërcënim të madh në lindje të kontinentit tonë. Lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës e ka tronditur thellë rendin e paqes në Evropë”, deklaroi Merz gjatë kongresit të Unionit Kristian Social (CSU), partisë simotër të CDU-së, të mbajtur në Mynih.

“Po ashtu, po shohim se Rusia përpiqet ta destabilizojë Gjermaninë çdo ditë”, theksoi kancelari gjerman.

Merz paralajmëroi se kërcënimet ruse nuk kufizohen më vetëm në Ukrainë, duke përmendur sulmet kibernetike, aktet e sabotimit dhe përpjekjet për të goditur infrastrukturën kritike në vende të ndryshme evropiane.

“Ky kërcënim nuk kufizohet më vetëm në Ukrainë. Në të gjithë Evropën po përballemi me sulme kibernetike, sabotime dhe përpjekje për sulme ndaj infrastrukturës kritike, siç ishte rasti në Aeroportin e Leipzigut më 4 gusht, si dhe me përpjekje për ta destabilizuar shoqërinë tonë demokratike”, deklaroi ai.

“Të gjitha këto e kërcënojnë lirinë tonë dhe pikërisht për këtë arsye po investojmë në mbrojtjen e saj”, shtoi Merz, duke theksuar rëndësinë e forcimit të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së Gjermanisë.

Deklaratat e kancelarit vijnë pas paralajmërimeve të mëhershme të drejtuesit të Shërbimit Federal të Inteligjencës së Jashtme të Gjermanisë (BND), Martin Jäger, i cili kishte tërhequr vëmendjen për rrezikun që vendi të përfshihet në një konflikt të dhunshëm me Rusinë./lajmishqip.net