Në një kohë kur Kosova po përballet me ngërç politik në Prishtinë dhe në prag të shqiptimit të aktgjykimit më 16 shtator në Hagë, paralajmërime për rreziqet ndaj shtetësisë së vendit po vijnë edhe nga njohës të zhvillimeve ndërkombëtare, të cilët kërkojnë më shumë vigjilencë dhe unitet nga klasa politike.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, i cili gjatë luftës së vitit 1999 ishte Sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, ka paralajmëruar se konkurrenca mes fuqive të mëdha po e përdor Ballkanin Perëndimor si një “shesh lojërash aventureske”, përmes ndërhyrjeve dhe ndikimit në politikën e rajonit.
Në këtë kontekst, Robertson ka theksuar se, sipas vlerësimit të tij, kërcënimet ndaj Kosovës nuk burojnë vetëm nga Serbia.
“Ajo [Kosova] ka edhe armiq të tjerë në botë që duan ta kufizojnë atë dhe ta rikthejnë atë në pozicionin e saj historik si pjesë e Jugosllavisë së vjetër. Dhe njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë këtë”, ka deklaruar Robertson.
Deklaratat e tij janë komentuar për Gazetën Express nga publicisti Ben Andoni dhe profesori amerikan Daniel Serwer, të cilët kanë shprehur shqetësime për sfidat me të cilat mund të përballet Kosova.
Andoni vlerëson se Serbia, që nga periudha pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, ka kërkuar forma të ndryshme për ta penguar konsolidimin dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
“Ka kohë që ka nisur përpjekja e Serbisë për neutralizimin e Kosovës, nëpërmjet rrugëve të ndryshme. Madje, personalisht mendoj qysh të nesërmen e firmosjes së Kumanovës, autoritetet serbe kanë menduar rrugët alternative për ta zhbërë”, ka deklaruar Andoni, duke përmendur edhe pengimin e integrimit të Kosovës dhe shfrytëzimin e përçarjeve të brendshme politike.
Sipas tij, politika në Kosovë duhet të jetë më e vëmendshme ndaj zhvillimeve ndërkombëtare dhe përpjekjeve të Beogradit për të fuqizuar pozicionin e tij diplomatik, përfshirë aktivitetet lobuese në Shtetet e Bashkuara.
“Dhe, sot, armiqtë më të mëdhenj të Kosovës janë pikërisht ata që nuk shihen dhe nënvlerësohen nga Kosova zyrtare. Lordi Robertson bëri mirë që tundi kambanën, por veshët për ta dëgjuar në Kosovë janë shurdhuar”, është shprehur Andoni.
Duke komentuar peshën e paralajmërimit që vjen nga një figurë si Robertson, Andoni ka thënë se situata duhet të merret seriozisht, duke rikujtuar sakrificat dhe mbështetjen ndërkombëtare që çuan deri te liria dhe shtetësia e Kosovës.
Sipas tij, Kosova nuk ka hapësirë për përçarje të thella dhe eksperimente institucionale në një periudhë kur zhvillimet ndërkombëtare mund të sjellin sfida të reja. “Robertson, që është në brendësi të shumë konjukturave, po na shkund që të zgjohemi nga gjumi ynë letargjik. Por, jemi vonë…”, ka deklaruar Andoni.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për zhvillimet e mundshme pas përfundimit të luftës në Ukrainë, duke përmendur si skenarë të mundshëm izolimin e Kosovës, përpjekjet për tërheqjen e njohjeve dhe dobësimin eventual të pranisë amerikane në Evropë.
“Një nga skenarët më të frikshëm është vizatimi i botës pas Luftës së Ukrainës, ku Rusia dhe aleatët e saj të ndihen komodë”, ka thënë Andoni, duke shtuar se Beogradi, sipas tij, po vazhdon të punojë intensivisht kundër shtetësisë së Kosovës.
Përballë këtyre skenarëve, Andoni e ka përmbyllur qëndrimin e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëheqësit në Prishtinë: “Politika duhet të kthjellohet në Kosovë”.
Edhe profesori Daniel Serwer nga Johns Hopkins University ka vlerësuar se Robertson ka të drejtë kur thotë se, përveç Serbisë, ekzistojnë edhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë që nuk e mbështesin pavarësinë e Kosovës.
“Në këtë kategori do të përfshija një ose dy prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën — veçanërisht Qipron, për shkak të Republikës Turke të Qipros Veriore — në BE, si dhe Kinën, për shkak të Tajvanit”, ka deklaruar Serwer.
Megjithatë, profesori amerikan ka vlerësuar se rikthimi i Kosovës në një status të ngjashëm me atë që kishte në ish-Jugosllavi është jashtëzakonisht i vështirë për t’u realizuar. Sipas tij, edhe ambiciet e Serbisë duket se janë përqendruar më shumë në ushtrimin e kontrollit de facto, nëse jo de jure, mbi popullsinë serbe në Kosovë.
“Kushdo që e ka vizituar Kosovën kohët e fundit e di se shteti i saj nuk do të heqë dorë nga sovraniteti dhe pavarësia”, ka përfunduar Serwer./lajmishqip.net
