Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë, duke akuzuar disa prej bashkëpartiakëve të tij se pas kundërshtimeve të fundit qëndrojnë ambicie për drejtimin e LDK-së.
Reagimi i Abdixhikut vjen në kohën kur Avdullah Hoti ka kërkuar mbajtjen e një konvente të re të partisë, ndërsa Hykmete Bajrami ka paralajmëruar se mund të hyjë në garën e ardhshme për kryetare të LDK-së.
“S’rrotullohet shteti për një ambicie”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, duke kritikuar atë që ai e sheh si vendosje të interesave personale mbi çështjet shtetërore.
Kreu i LDK-së tha se fillimisht kishte besuar se kundërshtimet e bashkëpartiakëve të tij lidheshin me parime politike dhe interesin e Kosovës, por se, sipas tij, zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah një betejë për drejtimin e partisë.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai iu referua edhe traditës politike të LDK-së, duke bërë dallim mes asaj që, sipas tij, ka përfaqësuar partia ndër vite dhe zhvillimeve të sotme brenda saj.
“LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në fund të reagimit, Abdixhiku përdori një nga formulimet më të ashpra ndaj bashkëpartiakëve të tij: “Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”.
Reagimi shënon një përshkallëzim të debatit të brendshëm në LDK, në një periudhë kur mosmarrëveshjet nuk lidhen vetëm me qëndrimet ndaj zhvillimeve institucionale në vend, por tashmë kanë prekur hapur edhe çështjen e lidershipit të ardhshëm të partisë. /lajmishqip.net
