Kosovë

IKD-ja dorëzon sot në Kuvend nismën për Kodin Penal, kërkon sanksionimin e dy veprave penale

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) do të dorëzojë sot, e hënë, 26 tetor, në Kuvendin e Kosovës nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dorëzimi i nismës është paralajmëruar të bëhet në orën 11:20, në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pas dorëzimit, përfaqësuesit e IKD-së pritet të japin deklarata për mediet lidhur me përmbajtjen dhe qëllimet e kësaj nisme.

Përmes ndryshimeve të propozuara, IKD-ja kërkon që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet shprehimisht si vepër penale. Po ashtu, propozohet sanksionimi penal i përdorimit të parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Në kuadër të kësaj nisme, IKD-ja ka zhvilluar aktivitete për informimin dhe mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve në disa komuna të Kosovës, si dhe takime me studentë të universiteteve.

Pas përfundimit të procesit të mbledhjes dhe kontrollimit të dokumentacionit, nisma legjislative, së bashku me nënshkrimet e mbledhura, do t’i dorëzohet sot Kuvendit të Kosovës për procedim të mëtejmë, në përputhje me legjislacionin në fuqi./lajmishqip.net