Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, më 25 tetor 2026, duke deklaruar se Lista Studentore ka siguruar më së shumti mandate në Kuvendin e Serbisë.
“Është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje”, ka deklaruar Vuçiq, sipas portalit serb Nova.rs, duke pranuar epërsinë e lëvizjes së mbështetur nga studentët.
Ai ka bërë të ditur se, bazuar në një mostër të votave të numëruara, Lista Studentore pritet të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate parlamentare, ndërsa lista e tij rreth 105 deputetë.
Kuvendi i Serbisë përbëhet nga 250 deputetë, ndërsa për sigurimin e shumicës parlamentare nevojiten të paktën 126 mandate. Nëse konfirmohen këto projeksione, Lista Studentore do ta ketë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.
Sipas vlerësimeve të paraqitura nga vetë Vuçiqi, lista e tij ka marrë rreth 1.72 milionë vota, ndërsa Lista Studentore afërsisht 2.2 milionë vota.
Megjithatë, presidenti serb ka theksuar se bëhet fjalë për rezultate paraprake, të bazuara në mostra zgjedhore, dhe jo për shifra përfundimtare të konfirmuara nga autoritetet zgjedhore.
Pranimi i humbjes vjen pas një pjesëmarrjeje jashtëzakonisht të lartë në zgjedhje, të cilat u shoqëruan edhe me raportime për parregullsi, presion ndaj votuesve dhe incidente në disa vendvotime.
Sipas organizatës vëzhguese CRTA, deri në orën 19:00 kishin votuar 67.8 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, krahasuar me 55.5 për qind në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023.
Lista Studentore, e mbështetur nga lëvizja protestuese që prej gati dy vjetësh kundërshton pushtetin aktual në Serbi, është shndërruar në forcën kryesore rivale të Vuçiqit dhe aleatëve të tij politikë.
Ndarja përfundimtare e mandateve dhe përbërja e re e Kuvendit të Serbisë do të përcaktohen pas përfundimit të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve zyrtare nga Komisioni Zgjedhor Republikan. /lajmishqip.net
