Kosovë

Hoti kërkon konventë të madhe në LDK: Duhet pajtim, bashkim dhe një rrugë e qartë përpara

Reklamë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar organizimin urgjent të një konvente të madhe brenda LDK-së, përmes së cilës, sipas tij, partia duhet të arrijë një pajtim të brendshëm dhe të qartësojë rrugën politike përpara.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se në këtë konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat dhe i gjithë potenciali politik e organizativ i LDK-së.

Reklamë

“Në këtë konventë duhet të mblidhen të gjitha strukturat dhe i gjithë potenciali i LDK-së: anëtarët e Kuvendit Qendror të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Grupi Parlamentar, kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, konventa duhet të përfaqësojë një moment të ri për partinë dhe të shërbejë si pikë bashkimi pas zhvillimeve të fundit të brendshme.

Hoti ka theksuar se ky proces duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të rivendosë besimin ndërmjet strukturave të partisë.

“Mbi të gjitha, konventa duhet ta rivendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka deklaruar ai.

Reklamë

Hoti ka bërë të ditur se personalisht do të angazhohet për realizimin e një konvente të tillë, duke vlerësuar se vetëm një LDK e bashkuar mund ta rikthejë dhe forcojë besimin e qytetarëve.

“Unë angazhohem për këtë konventë të pajtimit të madh. Vetëm një LDK e bashkuar mund të fitojë besimin e qytetarëve. Pajtim – bashkim – besim – fitore”, ka shkruar Hoti në fund të reagimit të tij. /lajmishqip.net