Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, sot në orën 09:00, pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në të cilën pritet të përcaktohet masa e dënimit për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Rasti lidhet me ngjarjet e 21 marsit 2018, kur gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi ishte përdorur gaz lotsjellës, duke pamundësuar vazhdimin normal të seancës dhe duke detyruar deputetët të largoheshin nga salla.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 2 shtator 2026, e shpalli Sveçlën fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa masën e dënimit e la për t’u përcaktuar në seancën e 8 shtatorit.
Gjykatësi Sabit Sadikaj konstatoi se Sveçla kishte përdorur bombolën me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e seancës dhe duke bërë që deputetët të largoheshin nga salla.
Në të njëjtën çështje penale, Sveçla ishte akuzuar edhe për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”. Për këtë pikë të aktakuzës, Gjykata mori aktgjykim refuzues, pasi kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale. /lajmishqip.net
