Uashingtoni i vitit 2020 karakterizohej nga optimizmi dhe iniciativa për Ballkanin, ndërsa Uashingtoni i vitit 2026 duket se ka dukshëm më pak vëmendje për rajonin.
Njohës amerikanë të zhvillimeve në Ballkan thonë se administrata e sotme vepron mbi një logjikë më transaksionale, ku interesat ekonomike kanë peshë më të madhe. Në këtë realitet të ri, sipas tyre, Serbia duket se është përshtatur më mirë sesa Kosova.
Gjashtë vjet më parë, presidenti amerikan Donald Trump synoi të arrinte atë që diplomacia evropiane nuk kishte mundur ta realizonte: afrimin e Kosovës dhe Serbisë përmes bashkëpunimit ekonomik.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga administrata e tij u nënshkrua më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.
Dokumenti përmbante zotime për lidhje infrastrukturore, energji, investime dhe bashkëpunim ekonomik, por përfshinte edhe çështje që shkonin përtej marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova, ndër të tjera, u zotua të vendoste marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe, më pas, hapi Ambasadën e saj në Jerusalem.
Trump e paraqiti marrëveshjen si një zotim historik, ndërsa normalizimin ekonomik si një rrugë që mund të çonte drejt zgjidhjes së problemeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se do të kenë marrëdhënie të shkëlqyera. Ekonomia mund t’i afrojë njerëzit dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh këtu. Njerëzit e mi kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, deklaroi atëherë Trump, në prani të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, ekonomia nuk arriti t’i afronte dy vendet.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shoqëruan me kriza të njëpasnjëshme, veçanërisht në veri të Kosovës, të cilat kulmuan me sulmin e armatosur të një grupi serbësh në Banjskë në vitin 2023.
Trajektorja e raporteve nuk ndryshoi as pas marrëveshjeve të reja.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia u pajtuan gjatë vitit 2023 për Marrëveshjen drejt normalizimit dhe për aneksin që përcaktonte hapat për zbatimin e saj. Megjithatë, zbatimi ngeci.
Dialogu gradualisht humbi vrullin, ndërsa takimet e nivelit të lartë ndërmjet udhëheqësve u ndërprenë.
Ndërkohë, ndryshoi edhe roli që Uashingtoni kishte zgjedhur të luante në këtë proces.
Vetëm disa muaj pas Marrëveshjes së Uashingtonit, Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe Joe Biden mori drejtimin e presidencës amerikane.
Administrata Biden ndoqi një qasje më të koordinuar me aleatët evropianë dhe i dha Bashkimit Evropian më shumë hapësirë në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për Richard Kraemerin, president i Aleancës SHBA-Evropë, kjo qasje ishte e gabuar.
Ai vlerëson se synimi i administratës Biden për t’i dhënë Evropës më shumë përgjegjësi ishte i kuptueshëm, por, sipas tij, nuk prodhoi rezultatet e pritshme.
“Isha i impresionuar që administrata Trump, gjatë mandatit të saj të parë, mori iniciativën dhe u angazhua drejtpërdrejt, duke e anashkaluar Bashkimin Evropian, i cili, pavarësisht synimeve të mira, nuk kishte arritur t’i sillte rezultatet e dëshiruara në zgjidhjen e konfliktit. Unë e kuptoj që presidenti Biden donte t’i përmirësonte marrëdhëniet me aleatët evropianë, pas qasjes shpesh të ashpër të administratës Trump ndaj tyre. Por, t’ia linte Evropës sërish në dorë këtë çështje, nuk duket se funksionoi”, thotë Kraemer për REL-in.
Gjatë administratës Biden, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan krisje.
Në qendër të përplasjeve ishin një sërë veprimesh të Qeverisë së Albin Kurtit në veri të Kosovës, të cilat Uashingtoni i cilësoi si të pakoordinuara dhe potencialisht të dëmshme për komunitetin serb.
Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan hapur se veprime të tilla mund të kishin pasoja në raportet me Kosovën.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë gjashtë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi atë si një hap historik drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Ne përsërisim se normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës mbetet thelbësor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në kuadër të dialogut që nga shtatori i vitit 2023, vetëm pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë.
Kurti ka deklaruar se bisedimet nuk mund të vazhdojnë pa dorëzimin e personave të dyshuar për sulmin, për orkestrimin e të cilit ai akuzon Serbinë.
Bashkimi Evropian nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të ardhmen e dialogut, por shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka deklaruar më herët se po punon për organizimin e një takimi të nivelit të lartë.
“Po punoj veçmas me të dy [liderët], në mënyrë që të mund të ecim përpara me zbatimin e marrëveshjeve që janë tashmë në fuqi”, ka thënë Kallas.
Megjithatë, terreni politik dhe diplomatik i vitit 2026 është shumë më ndryshe nga ai i gjashtë viteve më parë.
Kosova ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë në krizë politike, ndërsa Serbia po përballet me problemet e veta të brendshme.
Brukseli e ka përqendruar vëmendjen te lufta në Ukrainë dhe çështjet e sigurisë evropiane, ndërsa edhe Uashingtoni ka një agjendë të ngarkuar me kriza dhe prioritete të tjera.
“Dhe ja ku jemi në vitin 2026, me një presidencë amerikane të mbingarkuar me kriza të ndryshme dhe me një agjendë të gjerë, të cilën synonte ta çonte përpara që në vitin e parë të mandatit. Tani jemi në vitin e dytë, disa prej këtyre çështjeve kanë ngecur dhe ajo që nuk shohim është që Evropa Juglindore të jetë prioritet”, thotë Kraemer.
David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, thotë se Kosova ka vepruar deri në një masë me bindjen se Uashingtoni “do të jetë gjithmonë aty”.
Por, sipas tij, Kosova sot nuk ka një drejtim të qartë strategjik, ndodhet në një krizë të thellë politike dhe nuk ka një plan të përcaktuar afatgjatë.
“Serbët janë treguar shumë më të suksesshëm se kosovarët në menaxhimin e marrëdhënieve me Uashingtonin, sidomos që kur Kurti ka marrë pushtetin. Unë pajtohem me të në thelb sa i përket dialogut me evropianët, por Kurti nuk shkon mirë me askënd. Njerëzit nuk e pëlqejnë dhe Vuçiq ka arritur ta shfrytëzojë këtë”, thotë Kanin për Exposenë.
Në një Uashington gjithnjë e më transaksional, Kanin konsideron se Kosova ka bërë gabim kur nuk e ka çuar përpara projektin e gazit të lëngshëm amerikan.
Sipas tij, Prishtina, ndryshe nga Beogradi, nuk e ka lexuar sa duhet rëndësinë politike që një projekt i tillë mund të kishte në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
“Serbia, Maqedonia e Veriut… kanë bërë marrëveshje për furnizim me gazin amerikan. Kosova ka bërë gabim në këtë çështje”, thotë Kanin.
Edhe Kraemer pajtohet se Serbia ka qenë dukshëm më e suksesshme se Kosova në ndërtimin e ndikimit në Uashington, veçanërisht përmes lobimit dhe krijimit të lidhjeve me njerëz të afërt me Trumpin.
Si shembull të fuqisë së këtyre rrjeteve, ai përmend edhe heqjen e ish-presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe familjes së tij nga lista amerikane e sanksioneve në vitin 2025.
Serbia, ndërkohë, në korrik nisi Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ndërsa ai me Kosovën mbetet i pezulluar prej një viti.
Uashingtoni e ka kushtëzuar nisjen e tij me përmbushjen e disa kushteve, përfshirë zotimet lidhur me pakicën serbe.
Kraemer thotë se brenda kësaj logjike transaksionale të administratës amerikane, Kosova ka më pak për të ofruar, pasi nuk ka peshën ekonomike ose strategjike që do të mund ta përdorte si levë në raportet me Uashingtonin.
Megjithatë, sipas tij, Prishtina mund ta kompensojë këtë mangësi duke dalë nga kriza politike, duke u dëshmuar si partnere serioze dhe e qëndrueshme dhe duke marrë përsipër vendime të vështira në dialog, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duhet të tregoni se jeni seriozë dhe të gatshëm të uleni në tryezë, të negocioni dhe të diskutoni edhe çështje që mund të mos jenë domosdoshmërisht të popullarizuara, por që duhet të trajtohen. Në vend që çështjet dytësore ta diktojnë drejtimin, duhet një udhëheqje më e përqendruar në atë se kah duhet të shkojë Kosova. Përplasjet politike nuk u sjellin asnjë të mirë qytetarëve të vendit”, thotë Kraemer.
Kanin e konsideron të rrezikshme vazhdimin e kësaj status quo-je, edhe pse situata aktualisht mund të duket e qetë.
“Nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm, nuk ka ndonjë krizë urgjente. Por, nëse papritur do të ndodhte diçka – le të themi një Banjskë tjetër apo edhe më serioze – ajo do t’i zinte të gjithë në befasi. Raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, aktualisht, janë lënë shumë në plan të dytë në Uashington dhe nuk jam i sigurt se çfarë synon të bëjë Kurti me to”, thotë ai.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, Trump ka pretenduar disa herë se ka parandaluar shpërthimin e një lufte ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka deklaruar se Serbia po përgatitej për një “luftë të madhe”, por se një zhvillim të tillë e ndaloi përmes presionit tregtar.
Shtëpia e Bardhë tashmë e rendit Kosovën dhe Serbinë mes konflikteve që Trump pretendon se i ka përfunduar.
Në dhjetor të vitit 2025, Trump nënshkroi gjithashtu një ligj që rikonfirmon politikën amerikane ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Ky ligj mbështet një marrëveshje përfundimtare të bazuar në njohjen reciproke dhe kërkon përparim në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2023, duke e lidhur atë edhe me forcimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me të dyja vendet.
Në terren, megjithatë, ky synim duket më larg se kurrë.
Kanin konsideron se aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë së pretenduari se mund ta zgjidhin vetë problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’ua lënë dy vendeve përgjegjësinë për arritjen e një zgjidhjeje.
Por, edhe vazhdimi i pritjes bart rreziqe.
Me Uashingtonin të përqendruar në prioritete të tjera dhe Beogradin që mund ta perceptojë veten në një pozitë më të favorshme, Kraemer paralajmëron se Serbia mund të tundohet të ndryshojë realitetin në veri të Kosovës përmes rrugëve jashtë kornizës ligjore.
Në një pikë, megjithatë, të dy ekspertët pajtohen: Marrëveshja e Uashingtonit, e cila gjashtë vjet më parë u prezantua si historike, sot është zhdukur pothuajse pa lënë gjurmë.
/lajmishqip.net
Serbia duket se ka fituar terren në Uashington, ndërsa Kosova përballet me krizë politike dhe sfida diplomatike….
Lexo lajmin e plotë 👇
