Kosovë

Jahjaga i jep mbështetje “Marshit për Liri” në përkrahje të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Reklamë

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur mbështetjen e saj për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Mbështetja e Jahjagës u bë e ditur pas një takimi me përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”. Sipas platformës, gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e marshit dhe mesazhin e tij në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Reklamë

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e platformës vizituan edhe muzeun “Çast”, të themeluar nga Fondacioni Jahjaga dhe kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Përmes një qasjeje artistike dhe konceptuale, muzeu pasqyron dhimbjen, përvojat dhe sfidat e të mbijetuarve, përfshirë stigmën me të cilën përballen në jetën e përditshme”, thuhet në njoftimin e platformës.

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka falënderuar ish-presidenten Jahjaga dhe fondacionin e saj për mikpritjen dhe përkrahjen e dhënë ndaj “Marshit për Liri”./lajmishqip.net

Reklamë