Përpjekja politike për konsensus rreth postit të presidentit po shkon drejt kolapsit total, pasi refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut ka riaktivizuar me shpejtësi opsionin e zgjedhjeve të parakohshme.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka drejtuar akuza të rënda mbi funksionimin e shtetit, duke e vlerësuar krizën aktuale si goditje direkte ndaj rendit demokratik.
Gjatë një interviste për Ekonomia Online, Musliu nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje i mban të kapura institucionet themelore të vendit.
“Fakti që sot operojmë me struktura jolegjitime, me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që kanë uzurpuar njëkohësisht ekzekutivin, presidencën dhe vetë kuvendin, përbën kërcënimin më serioz për shkatërrimin e demokracisë. Këta pushtetarë po e cenojnë rëndë themelin demokratik, po shkelin aktin më të lartë juridik dhe po dëshmojnë papërgjegjësi ndaj çdo mekanizmi institucional. Andaj, rreziku më imediat qëndron te fakti se sot vendi praktikisht ka mbetur pa kryesi shteti, pa parlament legjitim dhe pa qeveri funksionale. Çfarëdo hapi që synon zhbllokimin e kësaj situate dhe krijimin e institucioneve të mirëfillta legjitime nuk sjell rrezik, por përkundrazi, garanton stabilitet për shtetin”, nënvizoi Musliu.
E pyetur rreth faturës politike nëse shkohet në zgjedhje dhe fajtorit për këtë ngërç, ajo theksoi se koston reale do ta paguajë drejtpërdrejt populli.
“Duhet ta themi hapur dhe pa ekuivoke se pala që dëmtohet më rëndë nga aventurat e papërgjegjshme politike, konkretisht nga kjo qasje e Lëvizjes Vetëvendosje, janë pikërisht qytetarët e Kosovës. Çdo ditë e kaluar në vakum institucional përbën regres të parikuperueshëm për ta. Kjo krizë godet rëndë Policinë, Forcën e Sigurisë, arsimin e lartë, sistemin shëndetësor dhe të gjithë sektorët publikë pa dallim. Qytetarët tanë tashmë janë lodhur nga ky papërgjegjshmëri totale e kastës politike në vend”, u shpreh deputetja e opozitës.
Musliu është pyetur po ashtu nëse PDK-ja pranon uljen në tryezë kompromisi me Albin Kurtin, në rrethanat kur dështimi i marrëveshjes VV-LDK po e çon vendin në rrugë pa krye.
Ajo paraprakisht ka hedhur poshtë referencën institucionale ndaj Kurtit si kryeministër, duke e trajtuar ekskluzivisht si udhëheqës partie.
“Së pari dua të bëj një korigjim: ai nuk është kryeministër legjitim, por kryetar i Vetëvendosjes. Prandaj duhet theksuar përditë se lideri i Vetëvendosjes ka kapur institucionet vitale. Rrjedhimisht, Partia Demokratike e Kosovës refuzon kategorikisht negociatat me një uzurpator politik. Kemi të bëjmë me një individ që ka marrë peng jo vetëm drejtimin e ekzekutivit, por ka bllokuar edhe parlamentin e zyrën e presidentit. Është sekret publik se pa vulën e Kurtit asnjë nga këto veprime sabotuese nuk ndodh. Përballë një rrënuesi të tillë të demokracisë, qëndrimi i PDK-së mbetet i panegociueshëm. Ne qëndrojmë me dinjitet në opozitë, ngase mbi çdo interes partiak prevalon Republika e Kosovës. Synimi ynë nuk është pushteti me çdo kusht e me çdo person, por rikthimi i legjitimitetit shtetëror, dhe pikërisht për këtë parim nuk bëjmë kompromis”, u shpreh prerë Musliu.
Gjatë ditës së djeshme, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit urgjent me strukturat partiake, bëri të ditur se gjashtë deputetë nuk i dhanë dritën e gjelbër kandidaturës së Sejdiut. Abdixhiku nënvizoi se ky veprim e rreshton Kosovën pashmangshëm drejt shpërbërjes së kuvendit dhe zgjedhjeve të reja.
Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas mbledhjes me deputetët e partisë së tij, la të kuptohet se pret një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kreun e LDK-së për të diskutuar epilogun e krizës./lajmishqip.net
